Bëhuni gati se Flori Mumajesi dhe “çunat” e Threedots ju sollën hitin e kësaj vere
03/08/2017 - 15:26

Nuk besoj se përbën më çudi për askënd tashmë, që prodhimet e label-it “3Dots” të shndërrohen në sukses sapo publikohen (e ndonjëherë, edhe që më përpara se të publikohen).

Kjo gjë ka ndodhur edhe me projektin e fundit, ku ndryshe nga herët e tjera u bënë të gjithë bashkë për të na sjellë hit-in që po i mungonte kësaj vere.

“Karma” quhet kënga e cila i ka bërë së bashku Florin, Klajdin, Brunon dhe Dj Vickyn, të cilët edhe këtë herë treguan se janë ata që bëjnë ndryshimin në tregun muzikor shqiptar.

“Karma” është nga ato këngë për të cilat mund të thuhet pa frikë se janë dashuri me dëgjim të parë. Ajo të bën të kërcesh me tingujt e saj latin. Në të njëjtën kohë “Karma” është kënga që të bën edhe të qash me tekstin e saj melankolik. Po ashtu kjo këngë të ndez pasionin dhe të bën ta zgjedhësh si kolonën zanore për netët plot pasion me njeriun e zemrës. “Karma” është HITI!

Ishim mësuar deri më sot të dëgjonim herë pas here ndonjë fjalë të huaj në tekstet e këgëve të djemve të “Threedots”, siç është berë e modës tashmë në muzikën shqiptare, por një këngë e gjitha në gjuhë të huaj na bëri të mendojmë se dëshira për të prekur tregun ndërkombëtar ka prekur edhe Florin me miqtë e tij.

Por jo! Flori na siguron që fakti që kënga është realizuar në gjuhën spanjolle ka qenë thjesht një rastësi, pa asnjë prapamendim. Një demo e realizuar në gjuhë të huaj, siç ndodh me pjesën më të madhe të këngëve, rezultoi që ishte gjetja më e mirë edhe për produktin final. Dhe kështu bashkarisht u vendos që “Karma” do të mbetej në gjuhën spanjolle, një gjuhë që përshtatej shumë mirë edhe me ritmet e këngës, e për më tepër, një gjuhë me të cilën shqiptarët tashmë jo vetëm janë familjarizuar, por edhe e pëlqejnë shumë.

Megjithatë, nëse kjo këngë do të merrte edhe “bekimin” e publikut të huaj, padyshim që 4-shja e “Threedots” do të ishte shumë e lumtur.

E atëherë do ta besonim vërtetë që Karma ekziston, sepse Flori & co, pa as më të voglin dyshim meritojnë gjithë suksesin e botës, për të cilin kanë kaq shumë vite që punojnë pa zhurmë, pa fjalë, pa reklama boshe, por me pasionin dhe dashurinë që vetëm ata që kanë lindur me muzikën në gjak e kanë.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close