Vitamina kundër plakjes?
26/02/2017 - 9:10

Disa lloje vitaminash kanë efekt antioksidues. Po a mund të ndihmojnë ato edhe për të zgjatur jetën?

Përse plaken njerëzit? Kjo është një pyetje me të cilën merren studiues në mbarë botën. Që në vitet ’50, ata zhvilluan një teori që përgjegjës për këtë janë radikalët e lirë në trupin tonë: këto molekula reaktive sulmojnë përbërësit e qelizave dhe i dëmtojnë ato. Në perspektivë afatgjatë shkaktohen kështu sëmundje dhe qelizat plaken.

Por ata gjithashtu zbuluan se disa vitamina mund t’i izolojnë këta radikalë të lirë të rrezikshëm dhe t’i bëjnë të padëmshëm. Por a mund të ndalojnë ata edhe plakjen dhe të na mbrojnë nga sëmundjet?

Studiuesit duan ta  gjejnë këtë me ndihmën e krimbave nematodë. Jeta e tyre zgjat vetëm rreth një muaj. Kjo i bën ata organizma ideale model. Ata janë vetëm disa milimetra të mëdhej, por edhe në trupin e tyre zhvillohen radikalë të lirë dhe edhe këta krimba plaken dhe ngordhin.

Studiuesit i ushqyen krimbat me një kimikat që nxit prodhimin e radikalëve të lirë në trupin e tyre. Po a ua shkurton kjo gjë jetën krimbave?

Përfundime të papritura

Normalisht krimbat nematodë jetojnë mesatarisht 18 apo maksimalisht 28 ditë. Ndërkohë që krimbat që  prej kimikateve kishin më shumë radikalë, nuk jetuan më shkurt, por më gjatë: mesatarisht 21 ditë, disa madje edhe 35 ditë. Studiuesit nuk e kishin pritur një gjë të tillë.

Në një eksperiment të dytë, krimbave iu dhanë sërish kimikate që nxisin formimin e radikalëve lirë dhe përveç tyre edhe vitamina E dhe C – pra të ashtuquajtura antioksidantë, që i bëjnë radikalët e lirë të padëmshëm. Sërish ata protokolluan me saktësi jetëgjatësinë e këtyre krimbave dhe rezultati qe përsëri i habitshëm. Krimbat të cilëve u ishin dhënë njëkohësisht si kimikate për nxitjen e radikalëve të lirë edhe vitamina E dhe C, jetuan sërish vetëm 18 ditë mesatarisht dhe pas të paktën 26 ditësh të gjithë kishin ngordhur.

Vitaminat nuk ta zgjasin jetën

“Ajo që vumë re është se janë radikalët ata që janë përgjegjës që krimbat të jetojnë më gjatë, dhe në qoftë se ne i largojmë radikalë e lirë, efekti jetëzgjatës zhduket plotësisht.” – thotë Michael Ristow, profesor për metabolizmin pranë ETH Zyrih.

Tek krimbat të paktën, vitaminat nuk e zgjasin jetën, por madje e shkurtojnë atë. Po si ndikojnë doza të tilla vitaminash tek njerëzit? Edhe tek njerëzit ekziston mundësia për ta shtuar numrin e radikalëve të lirë në trup – përmes sportit. Për këtë arsye sportistëve u rekomandohet që të marrin preparate me vitamina shtesë.

Për një studim tjetër në të cilën morën pjesë 40 të rinj ata iu nënshtruan për katër javë një programi sportiv. Çdo ditë ata duhet të pinin ose tableta me vitamina E dhe C ose placebo. Para dhe pas katër javëve atyre iu morën për analiza mostra indesh dhe gjaku.

Efekt i kundërt

“Analiza e tyre tregoi në fund se grupi që merrte antioksidante nuk kishte ndonjë përparësi prej sportit, kurse grupi që nuk merrte kishte. Përfundimi i përgjithshëm është që radikalët e lirë që krijohen gjatë marrjes me sport, janë vërtet përgjegjës për faktin që sporti bën mirë për shëndetin.” – thotë profesor Michael Ristow.

Studiuesit i shpjegojnë rezultatet e studimit në këtë mënyrë: radikalët e lirë aktivizojnë mbrojtjen individuale të trupit dhe në këtë mënyrë e bëjë trupin të aftë për luftën kundër efekteve të dëmshme. Por në raste se vitaminat i asgjësojnë radikalët, kjo mbrojtje bie.

Pra pilulat me vitamina nuk mund ta zgjasin jetën. /DW/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Basha: Sot Edi Rama e shiti Saimir Tahirin për të shpëtuar lëkurën e tij

Close