Stina e verës - Vapa shton virozat, kujdes me helmimet ushqimore dhe kondicionerët
22/06/2017 - 16:56 Nga: Jonida Tashi

Rritet numri i personave të prekur nga virozat dhe infeksionet respiratore si pasojë e temperaturave të larta. Për të shmangur këto probleme shëndetësore, mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes me përdorimin e kondicionerëve. Një rrezik i madh gjatë kësaj stine janë edhe helmimet ushqimore që prekin të gjitha grupmoshat. 

Rritja e temperaturave shoqërohet me probleme të ndryshme shëndetësore që prekin si fëmijët ashtu edhe të rriturit.

Drejtorja e Qendrës Shëndetësore, Nr.3 në Tiranë, Bruna Shiroka, thotë se ditët e fundit është vënë re një shtim i vizitave për virozat dhe infeksionet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Shiroka: “Së pari shfaqen viroza të tipit enteroviroza më të shprehura te fëmijët e vegjël, por kemi pasur raste edhe te të rriturit. Shfaqjes së afeksioneve në rrugët e sipërme të frymëmarrjes në formën e riniteve, rinofaringiteve, faringiteve dhe anginave të cilat kanë qenë më të shpeshta”.

Një nga rreziqet më të mëdha të kësaj stine janë helmimet ushqimore.

Shiroka: “Kemi probleme me intoksikacionet ushqimore, kontaminimi ose qëndrimi për një kohë të gjatë në temperaturë të lartë i ushqimeve krijon mundësinë e tjetërsimit dhe kalimit nga forma pozitive për shëndetin në element agresiv që shfaqet në formën e instoksiokacioneve ushqimore.  Qoftë prindërit për fëmijën qoftë dhe të rriturit duhet të jenë të kudjesshëm në mënyrën e ruajtjes dhe gatimit të ushqimeve apo të përpunimit termik të tyre”.

Ndërsa “shpëtimi” nga vapa gjendet te kondicionerët, mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes me diferencën e temperaturave.

Shiroka: “Është e këshillueshme që luhatja e temperaturave nga ambienti jashtë dhe brenda të jetë 2-3 gradë jo më tepër pasi vlerat më të larta ashtu si preferon zakonisht popullata ta realizoj ftohjen brenda në diferencë 10-15 gradë nga ambienti jashtë padyshim që është një agresion termik. Organizmi është më i ekspozuar ndaj agresionit termik për t’u mbipopulluar me mikroorganizma apo mbishfaqur sëmundje shoqëruese”.

Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për shërbim mjekësor si pasojë e problemeve nga temperaturat e larta duhet të drejtohen për të marrë ndihmën e parë pranë qendrave shëndetësore, ku funksionojnë edhe ekipet e rehidrimit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close