Nuk kujdesemi për dhëmbët - Stomatologët: 80% e 12-vjeçarëve probleme të shëndetit oral
23/06/2017 - 15:53 Nga: Manjola Hasa

Shqiptarët nuk kujdesen për shëndetin e tyre oral. Mjekët stomatologë duke iu referuar studimeve të vendit dhe atyre evropiane thonë se 80% e 12-vjeçarëve kanë probleme me shëndetin e tyre oral. Kjo do të thotë se një i mitur në këtë moshë ka 3-4 dhëmbë me probleme. Krahasuar me vendet evropiane, renditemi të fundit përsa i takon përkujdesjes ndaj tyre.

Shqiptarët ende kanë probleme me shëndetin e tyre oral. Jemi larg kujdesjes dhe higjenës krahasuar me vendet euoropianë, ndërsa me vendet e rajonit nuk ka ndonjë diferencë të madhe.

Dorian Hysi, stomatolog dhe pedagog i stomatologjisë i referohet një studimi të kryer në nivel kombetar kur thotë se 80% e 12 vjeçarëve kanë probleme me shëndetin oral.

Hysi: Një individ i grupmoshës 12 vjeçare ka mesatarisht në gojë 3-4 dhëmbë të prishur, të hequr ose të mbushur. Ndërsa si përqindje e sëmundshmërisë, pra sa përqind të kësaj popullate prek kjo sëmundshmëri, është një çikë e lartë tek 80%. Pra 80% e kësaj popullate kanë pasur një eksperiencë të prishjes së dhëmbëve.

Për ekspertët e fushës, pamundësia ekonomike dhe mungesa e ndërgjegjësimit, janë dy nga faktorët që i detyrojnë pacientët të kërkojnë heqjen e dhëmbëve të sëmurë në vend të implantimit të tyre.

Hysi: Rritet prevalenca e ekstraksioneve të dhëmbëve, nuk ka ndodhur vetëm tek ne. Ne kemi bërë një studim me disa kolegë britanikë në 18 vende të Europës Lindore, ajo shtresë e mesme dhe shtresë e lartë vazhdon të ketë të njëjtën tendencë kujdesi, parandalimi. Ajo që ka qenë shtresë e ulët, ka problemin e  financimit  për trajtimin e të këtyre patologjive dhe si pasojë detyrohen ti heqin dhëmbët duke mos e përballuar dot trajtimin e këtyre patologjive.

Edhe përsa i takon shpenzimeve  për kujdesim e shëndetit oral, të dhënat tregojnë se shqiptarët shpenzojnë vetëm 1.5 euro, ndërsa shiptarët e Kosovës 1.9 euro dhe furça e dhëmbëve nuk ndërrohet mesatarisht 1 herë në 3 muaj. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close