Studimi - Shifrat e frikshme: 300 milionë vuajnë nga depresioni
04/04/2017 - 11:26 Nga: Xhoi Zajmi

 

Depresioni është tashmë shkaku kryesor i shëndetit të sëmurë dhe aftësive të kufizuara në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila raporton për një numër të madh njerëzish që jetojnë me këtë situatë.

Depresioni tashmë ka kaluar sëmundjet e frymëmarrjes si problemi më i madh shëndetësor i globit, me shifra që tregojnë se plot 300 milionë persona në mbarë botën kanë një diagnozë të tillë, një rritje 18% gjatë periudhës 2006 – 2015.

Organizata shpreson se këto shifra do të çojnë në përmirësim të trajtimit efektiv të gjendjes, e cila përmban kosto të mëdha njerëzore. Drejtoresha e Përgjithshme e OBSH, Dr. Margaret Chan i quan shifrat alarmante një thirrje që vendet të rimendojnë qasjet e tyre ndaj shëndetit mendor dhe ta trajtojnë këtë gjendje me urgjencën e nevojshme.

Mungesa e kuptimit të depresionit dhe paragjykimi kundrejt atyre që vuajnë për shkak të kësaj gjendjeje, vijojnë të mbeten barriera ndaj kurimit efektiv.

Sipas studiuesve, edhe në vende me të ardhura të larta, thuajse 50% e njerëzve me depresion nuk marrin trajtimin e duhur dhe ilaçet e rekomanduara, janë shpesh jo-efektive.
Mesatarisht, vetëm 3% e buxheteve qeveritare mbi shëndetin investohen në shëndetin mendor, duke variuar nga 1% në vende me të ardhura të ulëta deri në rreth 5% në vende me të ardhura të larta, përfshi këtu Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas OBSH, investimi në shëndetin mendor është me rëndësi në rrafshin ekonomik dhe organizata thotë se çdo dollar i investuar në trajtime më të mira për depresionin dhe ankthin, përkthehet në 4 dollarë fitim në shëndet dhe aftësi më të mira pune.

OBSH identifikon lidhje të qarta mes depresionit dhe të tjera problemeve fizike e mendore.

Depresioni rrit rrezikun e përdorimit të substancave dhe të sëmundjeve si diabeti apo problemet e zemrës. Edhe e kundërta është e vërtetë, që do të thotë se njerëzit me këto kushte kanë gjithashtu një rrezik më të lartë të depresionit.

Sipas shërbimeve të shëndetit mendor në Britani, ankthi dhe depresioni janë ndër problemet më shpesh të diagnostikuara në vend, teksa 7.8% e popullsisë i përmbush kushtet për këtë gjendje. Ka gjithashtu një lidhje të qartë mes depresionit dhe vetëvrasjes, që është shkaku kryesor i vdekjeve për burra nën 35 vjeç.

Shifrat e vdekjeve të papritura të pacientëve, raportuar nga problemet e shëndetit mendor në Angli, janë rritur me 50% në 3 vitet e fundit.

Rritja e trajtimeve virtuale ka provuar të jetë e diskutueshme dhe kritikët pretendojnë se ato nuk janë zëvendësim për terapitë e dedikuara me profesionistë të shëndetit mendor.

Kërkesa për shërbime të shëndetit mendor ka arritur nivele të paprecedent, ndërsa financimi për këto shërbime ka rënë me 8% mes periudhës 2010 – 2015, sipas statistikave.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close