Regjistri elektronik i shëndetësisë, një histori dështimi
22/03/2017 - 21:52 Nga: Nertila Dosti

Identiteti i çdo qytetari shqiptar dhe diagnozat e tyre shëndetësore duhet të ishin të digjitalizuara që prej dhjetorit të vitit 2016 në një regjistër të unifikuar elektronik, për të cilin u shpenzuan 14 milionë euro.

Shqiptarët tashmë duhet t`i kishin të dhënat e tyre shëndetësore të ruajtura në një regjistër elektronik, ku me lehtësinë e një kliku diagnozat do mund të shfaqeshin në çdo ekran kompjuteri në të 88 institucionet shëndetësore të vendit. Kjo pritej të realizohej përmes projektit “Regjistri mbarëkombëtar i Shëndetësisë elektronike”.
Një nga synimet kryesore të projektit ishte zëvendësimi i regjistrave të vjetër me shkrim dore nëpër spitale dhe qendra shëndetësore me një regjistër të ri, të unifikuar, elektronik. Të dhënat për shëndetin e qytetarëve priteshin të përditësoheshin me lehtësi dhe të shkëmbeheshin mes institucioneve të kujdesit shëndetësor në kohë reale.
Projekti nisi në fundin e vitit 2014 dhe në dispozicion të tij u vendos një shumë prej rreth 14 milionë eurosh, nga një marrëveshje e lidhur mes Ministrisë së Financave dhe Unicredit Bank Austria AG për përfitimin e një huaje të butë në qershor të atij viti. Përgjegjëse për zbatimin e tij u caktua Ministria e Shëndetësisë dhe afati, kur nisma duhet të përfundonte, ishte dhjetori i vitit 2016.

Tashmë, kur kanë kaluar tre muaj nga koha e përfundimit të projektit, ministria e konsideron atë sukses dhe shuma prej 14 milionë eurosh është e gjitha e disbursuar.

Ndërkaq, PSE, nga një vëzhgim i detajuar në shtatë institucione shëndetësore në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd, intervistat me qytetarë, drejtuesit e këtyre qendrave dhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, zbulon se projekti ende nuk është plotësisht funksional. Pesë nga këto qendra shëndetësore dhe spitale ishin pjesë e fazës pilot të projektit dhe puna duhet të kishte përfunduar brenda vitit 2015.

Të dhënat flasin për mosfunksionimin e plotë të regjistrit elektronik edhe në institucionet e tjera shëndetësore të vendit.
Mungesa e investimeve në teknologji dhe mospajisja e këtyre qendrave shëndetësore me staf shtesë që duhet të zbatonte projektin e regjistrit elektronik, duket se janë arsyet kryesore që kanë sjellë dështimin e projektit që synonte digjitalizimin e sistemit shëndetësor në vend.

Projekti nuk nisi me këmbë të mbarë

Krijimi i regjistrit elektronik, mbarëkombëtar të shëndetësisë ishte një projekt i planifikuar të zhvillohej në dy faza. Faza e tij, e parë pilot me një vlerë prej afërsisht 7.5 milionë eurosh nisi zbatimin në gjysmën e dytë të vitit 2014 dhe ishte parashikuar të përfundonte brenda gjashtë muajsh. Në fazën e parë projekti pritej të zbatohej në të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranës, si dhe rrethinave të saj.

Por, ndërkaq, dokumentet tregojnë se kjo fazë nuk përmbushi synimin për të cilin u lançua. Kjo evidentohet edhe në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, i publikuar në qershor të vitit 2016.

“Konstatojmë se në këtë fazë janë përfunduar vetëm tetë site. Kredia është disbursuar në masën 93%, ndërsa instalimi i sistemit është bërë gradualisht. Edhe pse pajisjet dhe programet i janë disbursuar kompanisë, nuk ka përfunduar implementimi i projektit në të gjitha sitet”, – shkruhet në raport.

Por, edhe pse këto mangësi për projektin janë evidentuar nga KLSH, ky institucion nuk ka kërkuar masë administrative apo ndjekje penale për shkeljet e gjetura në zbatimin e kontratës së projektit.

“Janë konstatuar përgjegjësi të ish-projekt-menaxheres dhe ish-drejtorit të projektit, për të cilët nuk rekomandojmë masa disiplinore, për arsye se këta persona nuk janë në marrëdhënie pune me Ministrinë e Shëndetësisë”, – theksohet në raport.

Pavarësisht mos-implementimit të projektit në pjesën dërrmuese të institucioneve shëndetësore, të përcaktuara në fazën e parë, Ministria e Shëndetësisë vijoi e pashqetësuar disbursimin e fondit për realizimin e fazës së tij të dytë. Në fazën e dytë të projektit regjistri elektronik i shëndetësisë kërkohej të ishte një realitet në të gjitha institucionet shëndetësore të Shqipërisë. Zyrtarisht projekti u mbyll në dhjetor të vitit 2016 dhe përfaqësuesit e ministrisë nuk nguruan ta konsideronin atë një sukses.

PSE kontaktoi me drejtuesin e projektit, Tomi Thomo, dhe ai tha: “Projekti është zbatuar pa asnjë problem në 88 institucione në të gjithë vendin. Në sistem janë hedhur të gjitha të dhënat e pacientëve, përfshi këtu edhe diagnozën.”

Ndërkaq, PSE gjatë muajve janar dhe shkurt kreu edhe një vëzhgim në shtatë institucione shëndetësore në Tiranë, Elbasan dhe Librazhd dhe konstatoi se regjistrimi elektronik i të dhënave të pacientëve është një proces që vetëm sa ka nisur, shumë larg nga të qenit i përfunduar.

Kështu, në Poliklinikën numër 3, në Tiranë është krijuar një zyrë e posaçme nga ku do të bëhej regjistrimi i pacientëve, por, siç shihet nga fotografitë e siguruara, aty janë vetëm disa kompjuterë dhe askush që punon në ta. Ndërkohë, punonjësit përdorin ende regjistrin me shkrim dore, teksa shënojnë diagnozat e pacientëve. Drejtoresha e kësaj poliklinike, Valdete Malaj, i tha PSE se, institucioni që ajo drejton, për shkak të fluksit të madh të pacientëve, e ka të pamundur të bëjë regjistrimin e çdo pacienti në kohë reale.

“Pacienti regjistrohet përmes një formulari që e printon sporteli. Me atë formular ai shkon te mjeku përkatës, i cili hedh në të diagnozën. Më pas, kur mbaron turni, nga dreka, ne i hedhim të dhënat në kompjuter. Këtu bëhen qindra vizita në ditë dhe për momentin nuk arrijmë t`i regjistrojmë dot të gjitha elektronikisht; nuk kemi shumë që kemi filluar me këtë proces”, – u shpreh Malaj.

Por, ky institucion nuk është pajisur ende me infrastrukturën e duhur, ndonëse projekti i ministrisë e parashikonte këtë. Malaj thekson se, me të ardhurat dytësore të vetë poliklinikës do të blihen disa kompjuterë që do të vendosen në dispozicion të mjekëve për të kryer regjistrimin.

“Ne kemi blerë një pjesë të laptopëve, të cilët iu janë shpërndarë mjekëve, duhen instaluar programet dhe të fillojë të punojë direkt mjeku dhe mos plotësojë më ato fletët që i shkruajnë me dorë”, – theksoi ajo.

Ndërkohë, të njëjtat ritme projekti ka ndjekur edhe në Poliklinikën e Specialiteteve numër 2 dhe në Poliklinikën numër 10 të kryeqytetit. Drejtoresha e Poliklinikës 10, Rudina Gjini, shprehu gatishmërinë për të na vendosur në dispozicion të dhënat mbi ecurinë e projektit, por theksoi se në sistem janë regjistruar vetëm të dhënat bazë të pacientëve, në një kohë kur projekti parashikonte dhe digjitalizimin e diagnozave të tyre.

“Emrat e pacientëve i kemi të gjithë në regjistrin elektronik. Kemi vendosur emrin, mbiemrin, ID-të e tyre dhe adresat, jo diagnozat. Vizitat dhe diagnozat nuk i kemi hedhur, i kemi manuale të gjitha”, – u shpreh për PSE Gjini.

Ndërsa drejtoresha e Poliklinikës së Specialiteteve numër 2, Mirela Hasanaj, tha për PSE se, sistemi tashmë funksionon dhe mund të shkëmbehen informacione me institucionet e tjera, por jo të gjithë pacientët regjistrohen.

“Në sistem hedhim vetëm të dhënat e pacientëve që janë të sëmurë kronikë. Rëndësi unë u jap sëmundjeve kronike, jo atyre akute”, – u shpreh ajo. Por, të dhënat mbi ecurinë e projektit Mirela Hasanaj nuk pranoi t`i bënte publike pa marrë më parë autorizim nga Ministria e Shëndetësisë.

Drejtori i maternitetit, “Mbretëresha Geraldinë”, Blenard Nonaj, nuk iu përgjigj interesit të PSE-së për projektin.

“Kam tri operacione, nuk kam kohë”, – tha Nonaj, ndërsa na drejtoi në Ministrinë e Shëndetësisë, te përgjegjësi i projektit, Tomi Thomo.

Ndërkaq, PSE ka vëzhguar ecurinë e projektit në qytetin e Elbasanit dhe në qytetin e Librazhdit. Projekti në këto dy qytete u implementua që në fazën e parë në fundin e vitit 2014, por, që prej gati dy vitesh e gjysmë nga ajo kohë, regjistri elektronik përsëri nuk është plotësisht funksional.

Në Spitalin Rajonal Elbasan, në sistem hidhen vetëm të dhënat bazë të pacientit dhe jo diagnoza dhe kjo pohohet nga punonjës të këtij institucioni pa dashur të identifikohen.

“Diagnozat e pacientëve nuk i hedhim, në sistem hedhim vetëm emrin, mbiemrin, datëlindjen dhe vendbanimin. Pasi përcaktohet diagnoza, ajo hidhet në kartelë nga mjeku, por jo në kompjuter”, – shprehet një infermier i këtij spitali.

Ndërkohë, në Poliklinikën e Specialiteteve në Elbasan, stafi nuk mund t`i regjistrojë pacientët elektronikisht për shkak të fluksit të madh.

Mungesat në personel, si dhe numri i madh i pacientëve i detyron ata që të përdorin vetëm regjistrin manual, ndërsa të dhënat në sistem thonë se i hedhin në një moment të dytë ose ditë të dytë.

“Të dhënat duhet të hidhen në moment, por, kur ka shumë fluks, ne i hedhim më vonë, pasi parësore për ne është që pacienti të marrë shërbimin sa më shpejt”, – shprehet njëri nga dy infermierët që hedhin të dhënat në sistem, pa dashur të identifikohet.

“Më shumë probleme kemi në urgjencë, ku ka shumë fluks. Aty përdorim edhe regjistrin manual,sepse nuk arrijmë dot t`i regjistrojmë të gjithë pacientët elektronikisht”, – shprehet kryeinfermieri i kësaj poliklinike.

Sipas tij, sistemi shpesh shfaq probleme, interneti është i dobët, kompjuterët prishen dhe kjo i detyron ata që për ditë me radhë të mos regjistrojnë asnjë pacient.

“Kur ka probleme, kompjuterët i çojmë në Elbasan, dhe rrimë dy-tri ditë pa i regjistruar fare pacientët. Ministria na ka thënë ta heqim fare regjistrin manual, por ne e përdorim ende, sepse ai elektronik nuk funksionon mirë”, – u shpreh ai për PSE.

Por, edhe në këtë rast institucionet private të kujdesit shëndetësor janë një hap para. M.B., 44 vjeç, pacient në njërin prej spitaleve private të vendit, tregon për PSE se, të dhënat e tij shëndetësore janë tashmë në sistemin elektronik të institucionit.

“Mjafton të shkruajnë emrin dhe mbiemrin tim dhe në sistem dalin të gjitha të dhënat”, – thotë ai, teksa shton se në spitalet publike nuk e ka hasur këtë procedurë.

Qytetarët, të paqartë për nismën

E. Rrapo, për shkak të problemeve shëndetësore, është një frekuentues i rregullt i Poliklinikës së Specialiteteve numër 2 në kryeqytet dhe në duar mban një volum të madh dokumentesh.

Kur e pyet se, a është në dijeni se të dhënat e tij duhet të ishin të regjistruara elektronikisht, ai përgjigjet se nuk e beson se kjo ka ndodhur.

“Unë kam jetuar dhe jashtë, në Kanada, dhe andej të gjithë pacientët janë të regjistruar në kompjuter, këtu nuk më kanë regjistruar as mua dhe as bashkëshorten time”, – thekson ai.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë si pjesë e projektit duhet të kishte ndërmarrë një fushatë të gjerë sensibilizimi e informimi për qytetarët, duket se nga dëshmitë e këtyre të fundit kjo nuk ka ndodhur.

Shkëlqim Barjami, një tjetër pacient i Poliklinikës së Specialiteteve numër 2 në kryeqytet, tregon se, sa herë që i drejtohet një institucioni shëndetësor, duhet të marrë me vete gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

“Jemi të regjistruar vetëm te mjeku i familjes, te regjistri i dorës. Me vete kam dokumentet dhe gjithë analizat. Deri tani nuk kanë arritur të na regjistrojnë”, – shprehet ai për PSE.

“Vetëm në regjistrin me shkrim dore jemi të regjistruar, si në rastin e mjekut të familjes, edhe në poliklinikë. Në kompjuter nuk di të jemi regjistruar. Asnjë nga mjekët nuk më ka informuar, as unë vetë nuk jam interesuar”, – shprehet një tjetër pacient me inicialet E. D., frekuentues i Poliklinikës numër 10, në Tiranë.

Të paqartë dhe të painformuar janë mijëra pacientë, të cilët hyjnë çdo ditë në dyert e spitaleve të vendit dhe pranojnë se pas vizitave te mjeku përkatës diagnoza e tyre përfundon në regjistrin me shkrim dore dhe kurrsesi në kompjuter.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Protestojnë duke u varrosur!

Close