Komisioni i Shëndetësisë - Reformimi i urgjencave, Beqaj: Jemi vonuar me projektin, gati në 3 prill
06/02/2017 - 15:58 Nga: Florinda Merko

Shërbimi i kundërshtuar i urgjencave mjekësore ka ngjallur debate në Komisionin e Shëndetësisë. Deputetët demokratë kanë akuzuar ministrin se e ka shkatërruar këtë sistem ndërsa Ilir Beqaj ka pranuar se nuk janë respektuar afatet dhe se shërbimi i urgjencës do nisë të funksionojë në 3 prill.

Premtimi për reformimin e shërbimit të urgjencës nuk është mbajtur. Këtë e ka pranuar edhe Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në komisionin e Punëve Sociale dhe Shëndetësisë. I pyetur nga deputetët demokratë  nëse janë realizuar pritshmëritë, Beqaj tha se ato janë vonuar me disa muaj dhe do të nisin punën në 3 prill.

Beqaj: Sigurisht që ne jemi të vonuar me fillimin e qendrës të komandës dhe kontrollit unike, por për fat të mirë sot kemi sigurinë që sistemi po instalohet, instalimi përfundon në 28 shkurt dhe në 3 prill duam të dalim live. Kemi bërë komunikimet me AKEP-in në mënyrë që të gjitha thirrjet që vijnë operatorët celularë të mund të vijnë në vendin që duhet.

Vokshi: Çfarë keni bërë ju përvecse keni përkeqësuar dhe keni një plan që nuk ja keni bërë transparent askujt…

Po brenda muajit prill ministria sipas Beqajt pret ta shtojë flotën e ambulancave me 40 automjete të reja që do të jenë dhuratë nga shteti turk.

Beqaj: Ne presim që në prill të marrim si dhuratë një numër prej 40 autoambulancash nga bashkëpunimi i Turqisë. Këto do ti shtohen flotës ekzistuese.

Rreth 350 milionë lekë do të investohen në 5 qytetet bregdetare të vendit për paisjet dhe teknologjinë e shërbimit të urgjencave.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Moody’s: Destabiliteti politik mund të shtyjë reformat

Close