Nxënësi i 8-vjeçares, në përpjekje për të gjetur kurën e kancerit
08/08/2017 - 8:40

Stephen Litt është si shumë 12 vjeçarë të tjerë amerikanë. Ai ka një axhendë të ngjeshur me sporte, mësime muzike dhe detyra shtëpie… por interesat e tij jashtëshkollore shkojnë përtej tenisit dhe oboes.

Kur ishte në klasë të parë, Stepheni filloi të merrte pjesë në panairet e shkencës. Në klasën e gjashtë, ai ishte gati t’i merrte gjërat seriozisht.

“Sapo hyra në makinë një ditë, i thashë babit: “Dua që projektin tim për panairin e shkencës ta bëj për malarien. Ai më pa, u kthye nga unë që isha ulur në sediljen e pasme dhe tha: “Kjo është shuuuumë e rrezikshme”! Kështu që mendova “Pse të mos e bëj për kancerin?”. Dhe njihja disa njerëz, miq të familjes, që kishin qenë me kancer”.

Stephen filloi të kërkonte për diçka që ai mund ta përdorte në shtëpi për të simuluar kancerin. Kërkimet e tij e çuan te planarianët, një lloj krimbi i sheshtë dhe EGCG-në, një antioksidant që gjendet në çajin e gjelbër dhe që njihet se vret qelizat kanceroze.

Planarianët mund të rigjenerojnë pjesë të prera të trupit të tyre dhe Stepheni zbuloi se zhytja e krimbave në EGCG e ngadalësoi procesin e rigjenerimit.

“Duke qenë se projekti i parë shkoi kaq mirë, vendosa të përdorja kancerin dhe tumorin e vërtetë te planarianët”.

Në projektin e dytë, grupi që ai e trajtoi me EGCG nuk u prek nga tumoret.

Puna e Stephenit tërhoqi vëmendjen e medias, ndërkohë që ai kishte filluar tashmë të mendonte për fazën e tretë të projektit, për të cilën nevojitej një laborator i mirëfilltë.

“Atij i duhet një inkubator ku qelizat njerëzore apo tipe të tjera qelizash kanceroze të ruhen, që të mos vdesin”.

Stepheni dhe prindërit e tij i kërkuan ndihmë Intitutit Kombëtar të Kancerit në Washington, ku studiuesi Dr. Stanley Lipkowitz i dha mundësinë Stephenit të paraqiste punën e tij si dhe të mësonte për punën e institutit.

“Është e rëndësishme që të udhëheqësh njerëzit. Interesi i njerëzve për shkencën duhet mbajtur i gjallë. Është një nga gjërat më themelore që duhen bërë”.

Dr. Lipkowitz e sfidoi Stepheni që të vazhdonte kërkimin e tij.

“Pyetja e vërtetë që kam për këto të dhëna është: “Si mund t’i përdorësh këto të dhëna për njerëzit, si një mënyrë për të parandaluar kancerin?”.

“Jam shumë i emocionuar. Tani mendoj se mund të merrem sërish me këtë projekt dhe e di mirë se çfarë më duhet të bëj kësaj radhe”.

Me këshillat e Dr. Lipkowitzit dhe disa ide të reja krijuese për të zgjeruar fushën e kërkimit, Stepheni po përgatitet për panairin e radhës.

/Marre nga VOA/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Investment at Lake Park, City Hall is constructing a third sport area

Close