Tiranë - Ministrja Manastirliu: Nga 2018, shtojmë vaksinën e rotavirusit
25/04/2017 - 16:44 Nga: Florinda Merko

Rotavirusi dhe një serë vaksinash të tjera do ti shtohen regjistrit të vaksinave të detyrueshme në vendin tonë nga vitit 2018. Njoftimi është bërë i ditur nga vetë Ministrja, e cila bashkë me mjekët ka bërë edhe thirrje që prindërit të vaksionojnë fëmijët për tu garantuar atyre shëndetin.

Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë falas vaksinën e rotavirusit, duke filluar nga viti i ardhshëm.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë një vizite në Qendrën Shëndetësore nr. 3 në Tiranë, për të promovuar rëndësinë e vaksinimit në çdo fazë të jetës.

Manastirliu: Kalendari jonë duhet ti afrohet sa më shumë kalendarit europian të vaksinimit, gjithashtu edhe me rekomandimin e OBSH-së ne do të fillojmë të zgjerojmë këtë kalendar. Mendojmë që do t’ia arrijmë që nga viti 2018 të fusim dhe një vaksinë të re që është vaksina e rotavirusit.

Mjekja e konsultores së Qendrës Shëndetësore nr. 3, Mimoza Çabiri, vuri theksin te rëndësia e vaksinimit, duke bërë sërish thirrje për prindërit që të mos hezitojnë të vaksinojnë fëmijet e tyre, pasi vaksinat janë efektive dhe të sigurta.

Sipas ekspertëve të shëndetit publik, brenda këtij viti ne do të kemi kartelën e detyrueshme të vaksinimit për punonjësit e shëndetësisë, të cilët do të mbrojnë jo vetëm veten por edhe pacientët e tyre.

Po ashtu do te kemi edhe një kalendar të përcaktuar vaksinimi për femrat e moshës ripodhuese dhe gratë shtatëzëna për të patur fëmijë të lindur të shëndetshëm.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Itali, 33 vjeçari shqiptar vdes tragjikisht në punë

Close