Mamografia e lëvizshme, 5 % e vizitave zbulojnë tumore
22/05/2017 - 16:00 Nga: Jonida Tashi*

 

Rreth 5 % e vizitave të kryera nga mamografitë e lëvizshme në të gjithë vendin kanë zbuluar tumoret e gjirit në stade të avancuara.

“Çdo vit kryhen afërsisht 4500-5000 mamografi. Të dyja makinat kryejnë rreth 15 ekzaminime në ditë dhe fluksi ka ardhur gjithmonë në rritje. Rreth 5% e ekzaminimeve janë kapur me fillesa të kancerit të gjirit. Ka pasur dhe raste të diagnostikimit në stade të avancuara dhe të hershme të kancerit të gjirit”, pohon specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Kozeta Filipi.

Mjekët tregojnë se më të prekura nga sëmundjet tumorale rezultojnë gratë dhe vajzat që kanë neglizhuar vizitën e gjirit. “Kemi kapur dhe raste që kanë pasur probleme definitive të kancerit. Gra që nuk janë kontrolluar, që kanë pasur frikë të bëjnë një depistim të thjeshtë apo një kontroll të gjirit si me eko ashtu edhe me mamografi dhe kanë qëndruar në atë lloj stadi ku është shfaqur kanceri”, pohon mjeku imazherist që kryen mamografitë, Alvis Imështari.

Insituti i Shëndetit Publik deklaron se prej tre vitesh programi i mamografisë së lëvizshme është shtrirë në të gjithë vendin. “Përgjithësisht në këto 3 vjet të këtij projekti është prekur pothuajse e gjithë Shqipëria”, thotë Imështari.

“Programi i mamografive të lëvizsshme ka filluar në nëntor të vitit 2014 me një fluks aktivitetesh. Të dyja mamografitë vetëm në ato dy muaj kanë kryer rreth 2 mijë mamografi. Gjatë vitit 2017 janë kryer rreth 2 mijë vizita dhe këto janë kryer në rrethe të largëta dhe ku nuk ekziston njësia e mamografisë dhe imazherisë”, shprehet Filipi.

Por ky shërbim është përdorur edhe për propagandë. Përgjigjet e mamografive janë vonuar në kohë dhe në shumë raste nuk kanë mbërritur kurrë te gratë, të cilat e kanë kryer këtë vizitë mjekësore.

Tumori i gjirit është një nga llojet më të përhapura edhe në vendin tonë, ku për çdo vit regjistrohen 400 raste të reja. Institucionet shëndetësore dhe aktivistët e shëndetit tërheqin vëmendjen e grave të kryejnë kontrollet mjekësore, për të parandaluar në kohë sëmundjet e gjirit.

*(Kronika u transmetua ne Tv Channel One)  

/Oranews.tv/ 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close