Shërbimi - Kimioterapi edhe në Elbasan, 100 mln lekë për barnat citostatikë
30/01/2017 - 15:54 Nga: Nertila Dosti

Prej muajit janar shërbimi i kiomoterapisë për pacientët e prekur nga sëmundjet tumorale ofrohet edhe në spitalin rajonal të Elbasanit. Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe deputeti socialist Taulant Balla ishin këtë të hënë në spitalin e Elbasanit, nga ku theksuan se ky shërbim lehtëson barrën financiare të pacientëve.

Pacientët e qytetit të Elbasanit të cilët janë të prekur nga sëmundjet tumorale nuk iu duhet të udhëtojnë më drejt Tiranës për të marrë shërbimin e kimoterapisë.

Që prej muajit janar kimioterapia ofrohet edhe ne spitalin rajonal të Elbasanit.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, teksa vizitoi ambientet e rikonstruktuara të spitalit, tha se 100 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë do të përdoren për sigurimin e barnave citostatikë.

Ilir Beqaj: Po fillojmë këtë vit të mundësojmë që të sëmurët me sëmundje të rënda tumorale, një pjesë të shërbimit ta marrin në spitalet rajonale dhe të mos jenë të detyruar më që ti drejtohen vetëm spitalit në Tiranë. Përpjekje që bëjmë për të rritur shërbimin spitalor në të gjithë vendin, jo vetëm për të lehtësuar barrën financiare të familjeve, por dhe për ta ofruar sa më pranë vendbanimit.

Sakaq deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se ofrimi i këtij shërbimi në Elbasan eviton sorollatjet dhe pritjet e pacientëve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Taulant Balla: Unë e falenderoj Ministrin e Shëndetësisë por dhe gjithë stafin e mjekëve dhe drejtuesve të spitalit rajonal të Elbasanit që më në fund ne kemi mundësinë që këtyre pacientëve me këtë sëmundje të vështirë, betejën për jetën mos ta zhvillojnë më përmes një sorollatje rruge në Tiranë.

Spitali rajonal i qytetit të Elbasanit është një nga 5 spitalet ku ky shërbim ka filluar të jetë funksional.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close