Ja disa nga ushqimet më të mira për gratë
09/03/2017 - 17:32

Të jesh grua ka pa dyshim privilegje, një ndër to është edhe ai i jetëgjatësisë. Një grua jeton mesatarisht 5-7 vite më shumë se një burrë.

Me mbarimin e fëmijërisë, një vajzë ka disa nevoja të ndryshme nga një djalë në lidhje me shëndetin e saj. Gjatë moshës që ajo i nënshtrohet ciklit të përmuajshëm menstrual, nevojat e saj janë më të rritura në hekur, ndërsa pas menopauzës, kalciumi bëhet elementi parësor për parandalimin e një prej sëmundjeve më të përhapura te femrat – osteoporozës. Le t’i hedhim një sy ushqimeve më të rëndësishme që një grua duhet të konsumojë, veçanërisht pas të 40-ave,sipas dietologes Blerina Bombaj.

1. Qumeshti i dhisë dhe kosi i shtëpisë (1-2 racione në ditë)

Qumështi i dhisë është i pasur në kalcium dhe ka më pak yndyrë nga qumështi i zakonshëm. Është më i tolerueshëm dhe nëse dhitë kullosin në hapësira të gjelbra, qumështi i tyre përmban edhe acide lyrore omega 3 – mjaft të rëndësishme për mbrojtjen e zemrës. Kosi i shtëpisë, përveç se është një burim gjithashtu i mirë i kalciumit, ofron edhe probiotikë të cilët duket se luajnë nje rol shumë më të rëndësishëm nga sa kemi menduar deri më sot, në shëndetin tonë. Ai është i lidhur me mirëqenien e baktereve miqësore që bashkëjetojnë me ne duke përbërë një element kyc të imunitetit që fillon në aparatin tretës.

2. Vaji i ullirit ekstra i virgjër (6-9 lugë të mëdha në ditë)

Vaji i ullirit luan rol mbrojtës kundër kancerit të gjirit. Në sajë të antioksiduesve të jashtëzakonshëm që përmban, vaji i ullirit ndikon në parandalimin e sëmundjeve të zemrës, të osteoporozës dhe alcajmerit. Për më tepër, vetitë antimikrobiale të bifenoleve, ndikojnë ndjeshëm edhe shëndetin e aparatit tretës. Kujdes, bëhet fjalë për vajin e ullirit ekstra të virgjër, të presuar në të ftohtë.

3. Fasulet (150gr/javë)

Fasulet dhe veçanërisht thjerrëzat, janë ushqime me forcë të jashtëzakonshme mbrojtëse kundër kancerit të gjirit. Fasulet mund të luajnë rol stabilizues në hormone femërore. Fibrat që gjenden te fasulet ndihmojnë në uljen e kolesterolit ndërsa isoflavonet – antioksidues tipik të fasuleve, qetësojnë simptomat e para të ciklit dhe menopauzës. Fasulet janë të pasura në acid folik, një vitaminë e pazëvendësueshme për gratë që planifikojnë të mbeten shtatzënë.

4. Sardelet dhe peshqit e kaltër (300gr/javë)

Peshqit e kaltër të vegjël që mund të konsumohen me hala, ofrojnë minerale në proporcione perfekte për të mirëmbajtur kockat. Njëkohësisht ofrojnë Jod, një element i domosdoshëm për funksionin e gjëndrës tiroide e cila kontrollon gjithë metabolizmin dhe vitalitetin.

5. Karkalecat (100gr/javë)

Karkalecat janë një burim i mirë i proteinave, yndyrave omega 3, por veçanërisht i nje antioksiduesi që gjendet ekskluzivisht te to – astaksanthinës. Ky antioksidues ka forcë të jashtëzakonshme neutralizuese për radikalet e lira dhe është gjetur të ketë efekt mbrojtës kundër kancerit. Çdo qelizë e organizmit tonë mund të përfitojë nga astaksanthina. Ajo çka e bën tepër të rëndësishëm këtë substancë është efekti i dukshëm kundër plakjes dhe pro jetëgjatësisë.

6. Frutat e pyllit dhe shegët (400gr/javë)

Boronicat, manaferrat, mjedra, rrushi i kuq, shegët dhe luleshtrydhet janë ndër frutat më të çmuar që përmirësojnë shendetin e aparatit urinar, rrisin përqendrimin dhe luftojnë plakjen.

Të pasura në vitamin C dhe acid folik, frutat e pyllit garantojnë shtatzëni të mbarë për gruan dhe shëndet të syve dhe lëkurës së saj. Ato duhet të jenë pjesë e pandarë e menysë javore të një gruaje, krahas frutave të tjera që përfaqësojnë lëndë ushqyese të ndryshme.

7. Rukola (2-3 kupa/javë)

Si një zarzavat i familjes së kryqëzoreve ku ben pjesë edhe brokoli, rukola është një ushqim i përsosur. Ajo përmban minerale në sasi të konsiderueshme dhe sulforafane të cilat njihen si molekula antikanceroze. E pasur në vitamin K, rukola ndihmon në përthithjen e kalciumit dhe shëndetin e kockave. /a.a/ /a.g/

/ATA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
U kapën me 200 mijë paund kokainë, 20 vjet burg për tre shqiptarë

Close