Historia e Ermelës, 20 vitet me talasemi
09/05/2017 - 10:35 Nga: Jonida Tashi*

Jeta e Ermelës, e cila vuan nga sëmundja e talasemisë, prej 20 vitesh varet nga gjaku që do t’i dhurojnë të tjerët. Brenda 1 viti, për jetën e një pacienti me talasemi nevojiten 50 dhurime gjaku, sasi kjo ende e pamjaftueshme në vendin tonë. Ermela Zenelaj, sot 22 vjeçe tregon se sa e vështirë është të jetosh me talaseminë, me frikën nëse do gjesh apo jo gjak në marjen e radhës.

“Është shumë e vështirë, është mungesë besimi te të tjerët, është lodhje se normalisht të shkosh çdo dy javë të bësh transfuzionin, të pish ilaçet që herë ka herë s’ka. Është dhimbje shpirtërore, të shposhesh një herë në dy javë, të bësh gjilpërat nuk është e lehtë. Unë kam 20 vjet që shpohem vetëm këtu në krah dhe më është bërë gropë, edhe hekur të ishte do ishte këputur tani”, pohon Ermela.  

Ju ka ndodhur që të keni shkuar për të marrë gjak dhe nuk keni gjetur? “Ndodh rëndom, por faleminderit dhuruesve vullnetar që këto vitet e fundit është përmirësuar pak, nuk është se po ikim pa gjak po të paktën po marrin gjysmën e njësisë”, shprehet 22-vjeçarja.           

Në Ditën Botërore të Talasemisë, krahas apelit për gjak, Ermela ka një lutje për çiftet e reja, që të bëjnë analiza për të parandaluar lindjen e fëmijëve të rinj me talasemi. “Për prindërit e rinj, që fëmijët e tyre të mos kenë problemin e talasemisë, ju këshilloj të bëjnë një analizë shumë të thjeshtë që quhet elektroforeza e hemoglobinës. Ju lutem, që të mos lindin më fëmijë me talasemi sepse është e dhimbshme. Ne gjakun e kemi jetën tonë, ju lutem dhuroni gjak që ne të jemi të gjithë ju”, thotë Ermela.  

Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, thotë se brenda një viti dhurojnë gjak vullnetarisht 7 mijë persona, shifër kjo e pamjaftueshme për të plotësuar nevojat që ka vendi për gjak. “Deri më sot, Kryqi i Kuq Shqiptar, është promovuesi kryesor i dhurimit të gjakur me rreth 7 mijë njësi në vit. 7 mijë njësi në vit për nevojat e vendit nuk janë të mjaftueshme”, shprehet Alushi. 

Në të gjithë vendin janë 600 persona të prekur nga talasemia, nga të cilët, 200 trajtohen në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër në Lushnje.

Gazetare e Channel One 

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close