Telefeonata - Zaev-Vuçiç: Mosmarrëveshjet tejkalohen me dialog
23/08/2017 - 18:43

Maqedonia dhe Serbia janë marrë vesh që mosmarrëveshjet ti zgjidhin me dialog por edhe pas bisedës “së gjatë dhe të hapur” telefonike midis kryeministrit Zoran Zaev me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç mbeten e pazbuluar e vërteta pas tërheqjes së personelit diplomatik nga Ambasada serbe në Shkup.

Me një komunikatë të përbashkët Zaev dhe Vuçiç thonë se kanë ranë dakord që:

“Pa marrë parasysh qëndrimet e ndryshme politike në raport me çështje të rëndësishme politike dhe rajonale, Maqedonia dhe Serbia bashkërisht do të luftojmë për ballafaqimin, por edhe për avancimin e relacioneve miqësore të popullit maqedon dhe serb, si dhe të qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë. Maqedonia dhe Serbia do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve. Maqedonia dhe Serbia, në përputhje me të drejtën publike ndërkombëtare dhe në bazë të vullnetit të mirë do ti mbrojnë interesat dhe të drejtat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të territoreve të tyre”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Ndërsa ndryshe nga deklarata e djeshme e Presidentit Vuçiç se marrëdhëniet midis dy shteteve tashmë mund të normalizohen por nuk do të jenë më në nivelin më të lartë, në kumtesën e përbashkët qëndron:

“Republika e Maqedonisë dhe Republika e Serbisë do ta intensifikojnë komunikimin reciprok në nivelin më të lartë, do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën evropiane dhe do t’i forcojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.”

Gjatë ditës bisedë telefonike kanë realizuar edhe ministrat e jashtëm të dy vendeve, Dimitrov dhe Daçiç.

Ndërkohë Komisioni Evropian vlerëson se tërheqja e diplomatëve nga Shkupi tre ditë më parë është çështje dypalëshe midis Serbisë e Maqedonisë dhe pret që e njëjta të zgjidhet në mënyrë përmbajtjesore, paqësore dhe në frymën e fqinjësisë së mirë./AlsatM/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Monument për “vrasësin” e miliona njerëzve në botë!

Close