Lëkundet koalicioni qeverisës - Veseli: Duhet vendimmarrje, ndryshe bashkëpunimi i pakuptimtë
14/04/2017 - 21:55 Nga: Xhoi Malësia

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, ka thumbuar Kryeministrin Isa Mustafa, duke deklaruar se nëse do të ketë mungesë vendimmarrjeje për çështje me rëndësi, siç është ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit, atëherë vazhdimi i bashkëpunimit në koalicionin qeverisës do të ishte krejtësisht i pakuptimtë. Palët kanë patur edhe më herët debate për pika të caktuara, por mediat kosovare kanë shkruar se kjo ishte një lëkundje serioze për bashkëpunimin mes PDK-së dhe LDK-së.

Ndonëse ka patur herë pas herë pas here debate mes palëve, koalicioni qeverisës në Kosovë duket se ka marrë një lëkundje serioze, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli dhe njëkohësisht aleati kryesor i kryeministrit Mustafa, ka kërkuar marrjen e vendimeve të rëndësishme për çështjen e Demarkacionit, pasi sipas tij, nëse nuk ka hapa konkretë në çështje të ndjeshme si kjo, bashkëpunimi politik është i pakuptimtë.

 Deklarata e Veselit erdhi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u caktuan edhe pikat e rendit të ditës për javën e ardhshme.

Në fjalën e tij, Kryeparlamentari theksoi se qytetarët kanë nevojë që të shohin ndryshim dhe hapjen e perspektivave të reja.

Veseli: Duhet të ketë vendimmarrje në këtë vend, vendimmarrje e cila u shërben interesit të qytetarëve dhe unë pres shumë shpejt që të kemi vendimmarrje të mëdha në Kuvendin e Kosovës por dhe në të njëjtën kohë në Qeverinë e Kosovës. Mirë është që të ecim përpara, përndryshe i humb edhe kuptimi i një vazhdimësie politike, në kuptimin edhe të koalicionit. Duhet të ketë vendimmarrje në interes të qytetarëve.

Deklarata e Veselit vjen në një kohë kur kryeministri Isa Mustafa ka patur vështirësi për të konfirmuar votat e të gjithë deputetëve që janë pjesë e koalicionit qeverisës, e në veçanti të përfaqësuesve serbë.

Këta të fundit bojkotuan për një kohë të gjatë parlamentin, por janë kthyer së fundmi duke bërë të ditur edhe vullnetin për të votuar pro ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit.

Megjithatë, Lista Serbe nuk pranon që të japë votat e saj për një tjetër çështje të rëndësishme siç është transformimi i FSK-së në një forcë të mirëfilltë të armatosur.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Dialogue, PM supports President’s initiative for political dialogue

Close