Greqi - Tsipras përgënjeshtron lajmin se do të shpallë zgjedhje të parakohshme
17/03/2017 - 8:58 Nga: Robert Goro

Qeveria greke ka reaguar me ashpërsi ndaj një lajmi të shpërndarë nga mediat ndërkombëtare, se kryeministri Tsipras do të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Lajmi, i publikuar së pari në portalin financiar, Forexlive, u ritransmetua edhe nga agjencia Reuters, të cilën qeveria greke e shënjestron në reagimin e vet.

“Jemi edhe zyrtarisht në epokën e “Fake News”-it, kësaj here me vulën e agjencisë Reuters”, thuhet në një deklaratë të nënshkruar nga zyra e shtypit e kryeministrit grek.

Në lajmin e vet, agjencia Reuters theksonte se bëhej fjalë për skenarë dhe spekulime, që ndërkaq, “meritonin vëmendje”.

Duke iu referuar mundësisë që kryeministri grek të dilte në një konferencë për shtyp apo mesazh televiziv për qytetarët, Reuters, vinte në dukje se Tsipras do të përqendrohej në rolin që ka Gjermania në negociatat aktuale të Athinës me kreditorët, dhe në përpjekjet e qeverisë greke për të shmangur marrjen e masave të reja shtrënguese.

Reuters shtonte se ka shumë gjasë që Aleksis Tsipras të kërcënonte apo dhe të shpallte zgjedhje të parakohshme, me synim ushtrimin e presionit ndaj kreditorëve.

Portali Forexlive, nga ana e vet, duke iu referuar burimeve nga Athina, njoftonte se Tsipras do të dalë publikisht deri në fund të kësaj jave, me qëllim që të informonte për ecurinë e negociatave me kreditorët, që ndodhen në një ngërç porej më shumë se një viti.

“Megjithëse nuk është diçka e re që Tsipras të kërcënojë me zgjedhje të reja, zërat insistojnë për këtë”, nënvizonte redaktori Ryan Littlestone dhe shtonte: “Derisa këto njoftime të konfirmohen, duhet t’i trajtojmë si spekulime dhe, ndërsa unë zakonisht nuk u besoj spekulimeve, kam shumë besim në burimin që më informoi”.

Në reagimin e vert të ashpër, qeveria greke thekson se në një periudhë kohore normale, lajmet për gjoja skenarin e zgjedhjeve të partakohshme, nuk do t’i bënin askujt përshtypje. Mirëpo, shton Athina zyrtare, “në mesin e negociatave kritike, çdo lajm i rremë që përpiqet të krijojë problem për qeverinë greke, transformohet automatikisht në temë kryesore për një pjesë të madhe të mediave”.

Pavarësisht përgënjeshtrimit nga qeveria greke, edhe vetë figura të SYRIZA-s në pushtet kanë lënë të kuptohet që po të vazhdojë presioni i kreditorëve për masa të reja shtrënguese që do të duhet të zbatohen vitin e ardhshëm, Tsipras ka vetëm një mundësi finale reagimi.

Dhe kjo mundësi nuk është veçse shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Fitorja e të cilave do ta ndihmonte për legjitimimin e masave shtrënguese, siç kishte ndodhur me zgjedhjet e vjeshtës 2015. Ndërsa humbja do t’ia linte këtë barrë qeverisë pasardhëse.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Tahiri: Ekuilibrat e politikës së madhe çekuilibrojnë Shqipërinë

Close