Kosovë - Thaçi i shkruan Stoltenberg, i jep sqarime për Ushtrinë e Kosovës
14/03/2017 - 10:02

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të takimit të Këshillit Veriatlantik të NATO-s, ia ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe shteteve anëtare të NATO-s.

Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për inicimin e plotësim-ndryshimit të Ligjit për FSK-në nga ana e presidentit Thaçi. Në këtë letër, Thaçi i shkruan Stoltenbergut dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare të NATO-s dhe ua shpjegon tërë procesin e transformimit të FSK-së.

Thaçi thekson se Kosova e konsideron këtë transformim si një hap të domosdoshëm kushtetues dhe si të drejtë sovrane për të themeluar një forcë mbrojtëse për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në rajon.

Ai ka shtuar se si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i FSK-së, ndjen obligim për të ofruar të gjitha argumentet e nevojshme ligjore dhe politike në favor të këtij procesi të transformimit, për të shmangur çfarëdo keqkuptimi tek NATO dhe anëtarët e saj. 

Thaçi ka shpjeguar se në pajtim me Kushtetutën tonë, Kosova ka themeluar FSK-në (2008-2009) – një forcë e sigurisë kombëtare e aftë për të mbrojtur qytetarët dhe komunitetet duke u mbështetur në kompetencat e parapara me ligjin specifik për FSK-në. 

Mirëpo, ligji sipas Thaçit e përkufizon FSK-në vetëm si një instrument të sigurisë që mbështet Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe që ndihmon autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore dhe të emergjencave të tjera.

“Sipas ligjit ekzistues, FSK-së i lejohet armatimi i lehtë dhe nuk i lejohet posedimi i armëve të rënda. Pjesëtarët e FSK-së janë rekrutuar dhe trajnuar nga NATO-ja, e cila vazhdon ta mbështesë zhvillimin e vazhdueshëm të saj përmes këshillimit, trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve. FSK-ja është një forcë vullnetare, profesionale, multietnike”, ka shkruar Thaçi në këtë letër.

Si pikë të dytë, Thaçi ka përmend se Republika e Kosovës, si shtet sovran, e merr seriozisht përgjegjësinë e saj për të ofruar siguri për qytetarët dhe territorin e saj.

“Së treti, në gjithmonë e dinim se ky transformim nuk do të jetë një proces i lehtë, si për shkak të situatës së brendshme politike ashtu edhe për faktorët e jashtëm të përfshirë. Megjithatë, atëbotë ne kemi mbetur të vendosur të ecim përpara në këtë proces, dhe madje edhe sot, në bashkëpunim me partnerët tanë strategjikë, duke përfshirë NATO-n”, ka shkruar ai.

Për të arritur këtë qëllim janë vetëm dy opsione sipas Thaçit që përmend në këtë letër.

 “Legjislacioni përfshin ndryshimet kushtetuese për të ndryshuar emrin e FSK-në në FAK dhe për të miratuar një ligj të ri për FAK-un. Ky do të ishte opsioni më i mirë. Megjithatë, në rrethanat e tanishme politike, ndërmarrja e kësaj qasjeje është praktikisht e pamundur për shkak se amendamentet kushtetuese kërkojnë votën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përveç dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndryshimet kushtetuese kërkojnë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës. Fatkeqësisht, deputetët që përfaqësojnë serbët e Kosovës janë plotësisht besnikë vetëm ndaj Serbisë dhe ata e kanë bërë të qartë votën e tyre kundër miratimit të legjislacionit të nevojshëm për të themeluar FAK-un. Nga ana tjetër, Serbia ligjërisht e konsideron Kosovën akoma si pjesë të territorit të s aj dhe nuk do të këshillojë deputetët serbë të Kosovës për të votuar në favor të këtij transformimi. Përfundimisht, ky opsion është praktikisht i pamundur për shkak të rolit të vetos të Serbisë”, ka shkruar ai.

Derisa opsioni i dytë, sipas Thaçit, përfshin vetëm ndryshime në ligjin ekzistues për FSK-në.

Asnjë ndryshim kushtetues nuk është i nevojshëm. E gjitha sipas tij që duhet bërë është miratimi i një projekt-ligji të ri për FSK-në i cili do të ndryshojë misionin e saj.

“Sipas këtij opsioni, nuk ka nevojë për të ndryshuar emrin ekzistues të FSK-së, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese. Si rrjedhojë, kjo qasje nuk kërkon votën e dy të tretave të të gjithë deputetëve dhe gjithashtu nuk kërkon votën e dy të tretave të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet joshqiptare që jetojnë në Kosovë, përfshirë edhe serbët e Kosovës. Legjislacioni mund të miratohet me një shumicë të thjeshtë të votave të të gjithë deputetëve”, shkruan ai.

Thaçin ka theksuar se kaq shumë gjëra po ndryshojnë në mbarë botën dhe aktorë të rinj janë të etur për të zgjeruar ndikimin e tyre edhe në rajonin tonë.

Kosova sipas tij do që të ruajë dhe promovojë marrëdhëniet paqësore fqinjësore me qëllim të rritjes së stabilitetit dhe besimit midis shteteve të rajonit. “Prandaj, ne vazhdojmë të mbetemi fuqimisht të përkushtuar ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Serbia, duke qenë e mbështetur fuqimisht nga Rusia, nuk ndan të njëjtin qëllim me Kosovës, pra që të bëhet anëtare e NATO-s. Përkundrazi, Serbia ende ka pretendime ndaj territorit të Kosovës dhe vazhdimisht po merr gjithnjë e më shumë armatim nga Rusia, duke përfshirë aeroplanët luftarakë rusë MiG-29”, shkruan ai në këtë letër drejtuar përfaqësuesve të NATO’s dhe shteteve anëtare të Aleancës Veriatlantike.

Ai ka thënë se siguria kombëtare e Kosovës është e lidhur ngushtë me sigurinë rajonale dhe atë euro-atlantike në përgjithësi.

“Në këtë kontekst, shpreh gëzimin tim për faktin se askush nga partnerët tanë strategjikë, përfshirë edhe NATO-n, nuk e vë në pikëpyetje të drejtën tonë sovrane për të vepruar në këtë frymë. Dallimi i vetëm nuk ka të bëjë me qëllimin përfundimtar të transformimit të FSK-së, por me qasjen apo opsionin e zgjedhur për ta arritur këtë.  Duke pasur këtë parasysh, tashmë kam deklaruar publikisht se ne jemi të gatshëm për ta bërë këtë transformim nëpërmjet opsionit 1, nëse kushtet përmbushen shpejt. Fatkeqësisht, faktet dhe qëndrimi i deputetëve serbë të Kosovës mbeten të pandryshuara derisa ata vazhdojnë ta kundërshtojnë transformimin e FSK-së në çfarëdo forme”, shkruan ai.

Sipas Thaçit, qëndrimi i tyre pasqyron qëndrimin e Serbisë ndaj kësaj çështjeje.

Ai ka shtruar se për këtë arsye, nisma ligjore e ndërmarrë për ta transformuar FSK-në duhet të vazhdojë në përputhje me legjislacionin në vend, rregullat e procedurave dhe përmes një procesi transparent e gjithëpërfshirës.

Në përfundim, Thaçi ka sqaruar edhe një herë se transformimi i FSK-së të cilin po bëhemi gati ta kryejmë nuk mund të shihet në asnjë mënyrë si një akt i njëanshëm.

“Mund të shihet i tillë vetëm nëse ju thoni se Kosova ka nevojë për të marrë mbështetjen nga Serbia për të krijuar forcën e saj mbrojtëse ushtarake. Shpreh keqardhje që në cilësinë tuaj si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s ju keni paralajmëruar pasoja të mundshme në kuptim të bashkëpunimit në mes FSK-së dhe NATO-s në rast të ndryshimit të mandatit të FSK-së. Unë e kam marrë këtë paralajmërim shumë seriozisht dhe më vjen keq shumë që ju i keni bërë publike këto pasoja menjëherë pas ndërmarrjes së nismës ligjore. Duke pasur parasysh respektin më të madh për NATO-n dhe shtetet anëtarë të saj, më duhet të theksoj se Kosova është e vendosur për të përfunduar këtë proces në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse”, ka shtuar ai.

Thaçi iu ka kërkuar miqësisht për të marrë në konsideratë të gjitha argumentet ligjore dhe politike të shpjeguara shkurtimisht në këtë letër dhe t’i ndani ato me shtetet anëtare të NATO-s.

Ai iu ka bë thirrje shteteve anëtare të NATO-s që të mos bëni përpjekje pas pasoja të mundshme për FSK-së si rezultat i këtij transformimi gradual.

“Në vend të kësaj, bëj thirrje për të gjithë ju për ta mbështetur këtë proces dhe për të forcuar bashkëpunimin me FSK-në, sepse ne kemi ndërtuar këtë forcë të sigurisë bashkërisht për kaq shumë vite”, thuhet në letër./RTK/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

  1. tironsi/gjermani says:

    ” Amendamentet kushtetuese kërkojnë votën e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përveç dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndryshimet kushtetuese kërkojnë edhe dy të tretat e të gjithë deputetëve që përfaqësojnë komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë edhe serbët e Kosovës.”

    Popullsia pakice me prejardhje Serbe qe jetojne ne Kosove jane nenshtetas Kosovare. Ata perbejne vetem 2% te popullsise se Kosoves qe eshte nje vend i lire demokratik e sovran.

    Nuk dua te rreshtoj ketu meritat e tyre ne zhvillimin e ngjarjeve ne keto 100-vjetet e fundit ne Kosove por dua te shtroj vetem pyetjen per te gjithe ata qe ende po mendohen per ti lejuar ose jo Qeverise se Kosoves te ushtroje detyren e saj legjitime ne harmoni me ligjet e saj kushtetuese:

    Ne cilin Vend te Natos eshte e mundur qe per zbatimi i te drejtave legjitime kushtetuese te popujve te tyre eshte e detyrueshme te merret pelqimi i
    2/3 te nje pakice kombetare (2% te popullsise) per zbatimin e kushtetutes apo marrjen e vendimeve Parlamentare??????

    Une si nenshtetas Gjerman po mundohem ta imagjinoj kete situate ne Atdheun tim te zgjedhur. Kjo do te thote qe ne Gjermani me nje Popullsi prej 80.000.000 banore te mos ishte e mundur te merreshin vendime parlamentare e sidomos kaq brisante ne keto kohe kaq te veshtira pa miratimin e pakicave te popullsise me origjine Turke qe gjithesesi nuk i kane shkaktuar kurre turbullira ketij vendi.

    Ju lutem Zonja e zoterinj tregojani botes se nuk eshte turp te mendosh e te veprosh ne harmoni te plote me dte drejtat e lirite e njeriut edhe ne Ballkan.

Komento

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close