Maqedoni - Shtyhet mbledhja e parlamentit, mungon kryetari i grupit të VMRO
17/03/2017 - 21:58 Nga: Xhoi Malësia

Kryetari në detyrë i Parlamentit Maqedonas, Trajko Veljanovski, pas kërkesës së paraqitur nga LSDM për vazhdimin e seancës konstituive të dhomës së legjislativit, ka marrë vendimin që kjo mbledhje të zhvillohet ditën e martë, me arsyetimin se kryetari i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE, Ilija Dimovski, ndodhet jashtë vendit.

Diçka e tillë është pritur me kritika të ashpra nga ana e social-demokratëve, të cilët shprehen se ky arsyetim tregon papërgjegjshmëri nga ana e Veljanovskit.

Në një komunikatë të lëshuar për mediat, LSDM thekson se: “sqarimi i Veljanovskit se qytetarët e Maqedonisë duhet të presin që Ilija Dimovski të kthehet nga udhëtimi për t’u zhvilluar vazhdimi i seancës konstituive është lojë e turpshme dhe e pamatur ndaj qytetarëve të cilët me muaj presin formimin e Qeverisë, si dhe një poshtërim i punës së Kuvendittë Maqedonisë”.

Për mediat ka reaguar edhe lideri i kësaj force politike, Zoran Zaev. Ai është shprehur se mbas mbledhjes së parlamentit që e cilësoi të vonuar, pret që të ketë në dorë një mandat për formimin e qeverisë, teksa dha si afat datën 24 mars.

Zaev nënvizoi se pret që Presidenti kësaj rradhe të veprojë në mënyrën e duhur, por shtoi se jo çdo gjë varet prej tij.

Për t’u theksuar është fakti se data e mbledhjes së seancës së ardhshme konstituive përkon edhe me vizitën në Shkup të komisionerit të BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, i cili do të jetë i shoqëruar nga tre eurodeputetët, Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl.

Në deklaratat paraprake, zyrtarët e Bashkimit Europian, kanë kërkuar që Presidenti Ivanov të mos bllokojë proçeset demokratike, siç është formimi i qeverisë si dhe të shmangë retorikën që mund të çojë në konflikte ndëretnike.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Prezantohen kandidatët në Kukës, Kodheli: Do zgjidhim nevojat e banorëve

Close