Shqiptarët e Maqedonisë kanë një kërkesë për kryeministrin Edi Rama
11/07/2017 - 8:33

Shqiptarët në Maqedoni kërkojnë që Tirana zyrtare të mundësojë përfitimin e shtetësisë shqiptare nga gjithë shqiptarët jashtë kufijve.

Një plan i tillë është zbatuar nga shtetet fqinje siç janë Maqedonia, Bullgaria, Serbia dhe vendet tjera ish-jugosllave, njofton agjencia e lajmeve INA.

Ilir. M nga Shkupi thekson për agjencinë e lajmeve INA se prej kohësh ëndërron ta ketë pasaportën e shqiptare.

“Një kohë u bisedua se ish-kryeministri Sali Berisha do ti jap të gjithë shqiptarëve që shprehin interesim shtetësinë, por kjo deklaratë mbeti vetëm në letër. Shpresoj kryeministri Edi Rama të punoj në këtë drejtim”, thekson ai.

Të njëjtim mendim ndanë edhe Ardian. Sh, i cili thekson se është mirë që shqiptarë jashtë trojeve të Shqipërisë të kenë trajtim tjetër gjatë aplikimit për nënshtesinë shqiptare.

“Mjafton një deklaratë apo dokument që dëshmon se je shqiptar për ta gëzuar shtetësinë shqiptare, e jo një vargë dokumentesh sikur që kërkohen për kinezët apo gjermanët”, thekson ai.

Aprovimi i Ligjit për Marrjen e Pasaportës së Shqipërisë gjatë kohës sa Shqipëria udhëhiqej nga Qeveria e Sali Berishës kishte rritur interesimin për të marrë pasaporta shqiptare edhe në Maqedoni dhe Luginë të Preshevës.

Muhamer Pajaziti, analist shqiptar nga Maqedonia, ka thënë se nisma dhe ligji i nxjerrë nga Kuvendi i Shqipërisë janë për t’u përshëndetur, mirëpo nuk është se ka dhënë rezultatet e duhura.

“Është i vogël dhe simbolik numri i shqiptarëve në Maqedoni që kanë aplikuar për pasaportën shqiptare. Kjo për faktin se ka munguar një sensibilizim institucional nga Tirana zyrtare, sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Pajaziti.

Ai ka thënë se ky sensibilizim lë përshtypjen se nuk është bërë nga frika e faktorit ndërkombëtar dhe shmangia e akuzave eventuale për promovimin e idesë së Shqipërisë Etnike.

“Përpos kësaj në këtë proces ka pasur edhe barriera të panevojshme. Numër i vogël i shqiptarëve që kanë shprehur interesim janë përballur me një burokraci të pakuptueshme, dokumente dhe letra të panevojshme. Ndërkaq, e kundërta ka ndodhur me qasjen e bullgarëve ndaj maqedonasve”, ka thënë analisti shqiptar në Maqedoni, Muhamer Pajaziti.

Sipas tij, për një decenie me statistika zyrtare mbi 100 mijë maqedonas janë pajisur me shtetësi bullgare, vetëm me deklaratë të thjeshtë, duke e deklaruar origjinën e tyre si bullgarë.

“Por nuk është se shqiptarët e Maqedonisë kanë problem vetëm me shtetësinë shqiptare. Ata kanë problem të pajisen edhe me shtetësinë kosovare. Është absurde se për një lejeqëndrim në Kosovë, shqiptarët e Maqedonisë sikur edhe kinezët apo gjermanët duhet të dorëzojnë një listë prej afro 10 dokumenteve. Do të thotë nuk kanë asnjë trajtim të veçantë”, ka thënë analisti Pajaziti.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni nuk dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje, mirëpo ata theksojnë se vetë shteti shqiptarë duhet të vlerësojë se a duhet apo jo të krijohet mundësia nëpërmjet rrugëve konstitucionale, që të gjithë shqiptarët kudo që janë të pajisen me shtetësi shqiptare, pavarësisht se ata jetojnë në dy shtete apo më shumë shtete, por pajisja me shtetësinë shqiptare të bëhet sipas modelit të shtetësisë së dyfishtë, që lejohet nga shumë shtete.

Juristë dhe avokatë shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë që kryeministri Edi Rama me dekretin e presidentit të përmbush premtimet e dhënë në vitet e 90-ta, se çdo shqiptar në botë është shtetas i Shqipërisë.

Kohë më parë burime të afërta me Qeverinë në Tiranë nuk kanë përjashtuar mundësinë që Qeveria shqiptare të shqyrtojë një plan të tillë për dhënien e shtetësive për gjithë qytetarët shqiptarë edhe jashtë kufijve të shtetit shqiptar. (INA)

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close