Nuk dihen arsyet - Serbia tërheq urgjentisht diplomatët e saj nga Maqedonia
21/08/2017 - 11:17

Serbia ka tërhequr të gjithë stafin e vet diplomatik nga ambasada serbe në Shkupë informojnë mediat maqedonase dhe serbe.

Mësohet se ambasadorja, Dusanka Divjak-Tomiq dhe pjesa tjetër e stafit kanë udhëtuar prej mbrëmjes së djeshme për në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë deklaroi herët në mëngjes se kishte marrë një note nga ambasada serbe në Shkup ku informonte se i gjithë stafi është tërhequr për konsultime në Beograd. 

Nga kjo ministri thuhet se në komunikim me palën serbe po tentohet të mësohen arsyet e këtij veprimi

Gazeta serbe Blic, raporton se arsye e largimit të personelit nga ambasada e Serbisë, është siguria e munguar rreth objektit, por që nuk dihet për specifika të tjera.

Maqedonia nuk e di pse

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë  ende nuk ka informacion zyrtar nga Beogradi se pse janë tërhequr diplomatët dhe të punësuarit nga Ambasada e Serbisë në Shkup.

Nga MPJ-ja e Maqedonisë për MIA-n thonë se është vendosur komunikim me MPJ-në e Serbisë për konfirmimin e arsyeve  për këtë procedurë.

Pritet që gjatë ditës zyrtarisht sqarime të japë shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiç.

Ambasadorja serbe Dushanka Divjak Tomiq për mediat serbe deklaroi se tani për tani nuk mund të komentojë situatën dhe paralajmëroi më tepër informata gjatë ditës së sotme.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë informojnë se pas njoftimit nga MPJ-ja se Ambasada e Serbisë tërhiqet në konsultime në Beograd, pas kërkesës së Ambasadës, morën masa të rritjes së sigurisë në objektin e tyre.

/Oranews.tv/ 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Monument për “vrasësin” e miliona njerëzve në botë!

Close