Seanca e Jashtëzakonshme - “Serbia realisht po rrezikon dialogun me Kosovën”
10/01/2017 - 13:27

Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Seanca e jashtëzakonshme u kërkua nga partia e zotit Haradinaj, AAK.

Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj tha se në Beograd nuk ka rikthim të logjikës së Millosheviçit por   rikthim të pasardhësve të tij dhe se Serbia realisht po rrezikon dialogun me Kosovën.

Enver Hoxhaj: Duhet të mendojmë raportin e Kosovës me Serbinë.  Serbia ka ndjekur dhe po ndjek një politikë armiqësore në raport me Shtetin e Kosovës. Dëshiron të minojë Kosovën brenda për brenda por dhe sovranitetin dhe integritetin territorial.  Bën përpjekje çdo ditë të izolojë vendin ndërkombëtarisht, sikurse po ndjek politikë armiqësore ndaj lidershipit dhe qytetarëve të Kosovës, dhe në raport me këtë gjë duhet të mendojmë si duhet të sillemi në të ardhmen. Në Beograd nuk ka rikthim të logjikës së Millosheviçit por   rikthim të pasardhësve të Milloshevicit, prandaj në koordinim me kryeministrin Mustafa kemi marrë veprime konkrete reciproke sikurse kemi parandaluar vizitën e Nikoliçit në Kosovë dhe në të ardhmen do marrim veprime reciproke në raport me Serbinë.

Burim i ndalimit të Haradinaj. Është Serbia që po bën përpjekje pë  të goditur Kosovën e diasporën.  Me gjithë këto veprime serbia realisht po rrezikon dialogun me Kosovën. Zoti Haradinaj jam i sigurtë që do kthehet në Kosovë. Kam bërë kërkesë për një vizitë urgjente në Francë dhe tema e vetme është kthimi i zotit Haradinaj si dhe të kemi një qasje të plotë lidhur me Interpolin

Ministri kërkoi të bëhet kujdes me Francën.

Enver Hoxhaj: Franca është një shtet mik i Kosovës e ka njohur Kosovën dhe e di se interpoli  është keqpërdorur nga Serbia. Duhet të bëjmë përpjekje maksimale të ruajmë raportet me vendet mike dhe jam i detyruar për shkak të pozitës të them: Nuk ka asgjë tjetër që nuk do të shkonte në interes të Serbisë sesa krijimi i një hendeku mes Kosovës e Francës”

Seanca mbahet vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të zotit Haradinaj për lirimin e tij, me paraqitjen e një numri provash, siç thonë avokatët e tij, që “e mundësojnë lirimin e menjëhershëm”.

Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UCK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.

/Oranews.tv/

 

 

 

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
City hall’s investments, Mayor inspected work for construction of 23rd playground

Close