Komenti - Reuters për Kosovën: Rezultati i Vetëvendosjes, surpriza e këtyre zgjedhjeve!
12/06/2017 - 13:58 Nga: Xhoi Malësia

Agjensia e lajmeve Reuters ka komentuar rezultatin paraprak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Rezultati i arritur nga Partia Vetëvendosje përbën për Reuters edhe surprizën më të madhe të këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që agjensia e lajmeve vlerëson se papunësia, demarkacioni dhe marrëdhënia me fqinjët, do të jenë detyrat më të rëndësishme të qeverisë së re.

Agjensia e lajmeve Reuters ka komentuar situatën në Kosovë në një shkrim ku analizohet rezultati paraprak i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Reuters vlerëson si surprizën më të madhe të zgjedhjeve, mbështetjen e marrë nga Partia Vetëvendosje, e cila aktualisht qëndron pas koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës.

 “Vetëvendosje i ka fituar këto vota sepse ata duan të ndëshkojnë partitë qeverisëse. Ka të bëjë me nivelin e lartë të korrupsionit dhe mënyrën si drejtohet shteti,” shkruan Reuters duke cituar Ismet Kryeziun, liderin e organizatës joqeveritare Demokracia në Aksion.

Më tej, Reuters ndalet në situatën post-zgjedhore, ku qeverisë së re do t’i duhet të zgjidhë çështjen e papunësisë dhe demarkacionit me Malin e Zi si dhe të përmirësojë marrëdhënien me fqinjët e vendit, veçanërisht Serbinë.

Sidoqoftë, Reuters paralajmëron se nëse Ramush Haradinaj caktohet Kryeministër, kjo me gjasa do të ndërlikojë marrëdhënien me Beogradin zyrtar, që ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar për arrestimin e Haradinajt me akuza për krime lufte.

Tek kjo çështje është ndalur edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

I intervistuar nga Radio Deutsche Welle, Thaçi shprehu gatishmërinë e tij për të dialoguar me Serbinë në nivel politik.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Basha: Sot Edi Rama e shiti Saimir Tahirin për të shpëtuar lëkurën e tij

Close