Dosja - Prokuroria: Grupi me Lavdërim Muhaxherin planifikuan sulmin në Shqipëri-Izrael
14/06/2017 - 15:04

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur akuzën kundër 9 personave të akuzuar për terrorizëm.

Sipas Prokurorisë së Kosovës, të akuzuarit janë shtetasit me iniciale V.I., B.I., L.V., F.G., K.P., A.A., L.G., L.M. dhe B.P, ndërkohë që 4 prej tyre, përkatësisht V.I., B.I., L.V. dhe F.G., i janë përgjigjur thirrjes së Lavdrim Muhaxherit të vrarë së fundmi në Siri, për të kryer akte terroriste.

Sipas Prokurorisë së Kosovës, Muhaxherit përmes aplikacionit Telegram ka kontaktuar me shtetasin V.I, “duke i bërë thirrje që ta kryejë sulmin terrorist kundër lojtarëve dhe tifozëve nga Izraeli të cilët duhej të vinin në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës, për të zhvilluar ndeshjen futbollistike mes ekipeve të Shqipërisë dhe Izraelit më 12 nëntor 2016”.

Të pandehurit A.A. dhe L.G., gjatë muajit tetor 2016, sipas kërkesës së të pandehurit Lavdrim Muhaxheri me të cilin që të dytë kanë pasur kontakte të vazhdueshme përmes internetit, aplikacionit Telegram, kanë përgatitur sulme terroriste në Kosovë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes me të njëjtin, kanë planifikuar ta bëjnë sulmin terrorist – atentat në ndërkombëtarët ose zyrtarët të institucioneve të sigurisë, ashtu që i pandehuri L.G., ka filluar të interesohet për blerjen e armëve automatike, për të cilat brenda disa ditëve në vijim i pandehuri, Lavdrim Muhaxheri, përmes njerëzve të tij, ende të paidentifikuar, do t’ia dërgonte të pandehurit A.A., prej shumën 1500 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Kosovës.

Gjithashtu, sipas hetimeve, i pandehuri V.I., në kundërshtim me dispozitat ligjore është furnizuar me 283.1 gram të eksploziv të improvizuar triacetone triperoxide (TAPT), të cilin e ka mbajtur në bodrumin e shtëpisë së tij, e cili materie është  gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë me rastin e kontrollit.

I pandehuri K.P., në shtëpinë e tij ka prodhuar materiale plasëse. “Në një kavanoz qelqi në punëtorinë afër shtëpisë ka mbajtur 500 gram oksidues nitrat amonit ANFO (oxidizer ammonium nitrate) me përbërje të naftës, të cilat kur përzihen në mënyrë të duhur, formojnë eksploziv të improvizuar, i gjetur dhe konfiskuar nga ana e policisë me rastin e kontrollit”, thuhet më tej.

I pandehuri L.G., me dashje ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që më 1 nëntor 2013 është nisur nga Aeroporti i Prishtinës dhe ka ateruar në Aeroportin “Sabiha Gokçen” në Stamboll të Turqisë, e pastaj prej Turqisë në mënyrë ilegale ka kaluar në Siri ku i është bashkangjitur grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste Al Nusra, duke marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizatës për dy javë, kurse më 17 nëntor 2013 nga Siria përsëri ka kaluar në Turqi dhe përmes Stambollit me aeroplan ka ardhur në Prishtinë.

I pandehuri L.M., gjatë muajit tetor – nëntorit 2016 ka pasur takime dhe biseda të vazhdueshme me të pandehurit tjerë dhe përmes internetit, ashtu që ka qenë në dijeni për ekzistimin e një grupi terrorist të përbërë prej të pandehurve V.I., B.I., L.V. dhe F.G., të cilët kanë qenë duke e përgatitur kryerjen e veprës terroriste të përshkruar më lart, por këtë e ka fshehur dhe nuk i ka lajmëruar organet kompetente.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close