Konstituimi i Kuvendit - PAN: Seanca mbahet të mërkurën, kemi votat dhe votojmë qeverinë
14/07/2017 - 12:31 Nga: Xhoi Malësia

Burime nga koalicioni PAN bëjnë të ditur se seanca për konstituimin e Parlamentit do të mbahet të mërkurën e ardhshme, ndërsa shprehin besimin se po të njëjtën ditë ky grupim politik do të jetë i aftë të formojë qeverinë e re përmes votimit në sallën legjislative. Reagime ka patur edhe nga partitë e tjera të cilat nënvizojnë se asnjë deputet nga rradhët e tyre nuk do të pranojë të votojë për Haradinajn Kryeministër, pavarësisht datës se kur mbahet seanca.

Në një kohë kur pritet ende thirrja e seancës për konstituimin e Parlamentit të ri të Kosovës, burime nga koalicioni fitues PAN bëjnë të ditur se dicka e tillë mund të ndodhë gjatë ditës së mërkurë javën e ardhshme, ndërsa shprehin edhe besimin se brenda së njëjtës ditë do të mund të votëbesojnë në Parlament edhe qeverinë për mandatin që vjen.

Mediat kosovare duke cituar eksponentë nga bashkimi i PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s, theksojnë se diçka e tillë është vendosur pas takimit që kandidati për postin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, mbajti një ditë më parë në Presidencë me kreun e shtetit, Hashim Thaçi.

Megjithatë, reagime ka patur edhe nga forcat e tjera politike. Koalicioni LDK-AKR-Alternativa nënvizon se asnjë deputet i zgjedhur nga ky bashkëpunim politik nuk do të votojë pro qeverisë së drejtuar nga Haradinaj në çdo kohë që do të mbahet seanca.

Edhe dhe qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ka qënë i qartë. Kjo forcë ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e një bashkëpunimi me PAN, ndërsa do të shpresojë që Haradinaj të dështojë në përpjekjen e tij.

VV ndërkohë ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni me LDK-në, ndërkohë që pranon të bashkëpunojë me Ramush Haradinaj vetëm në rast se ky i fundit pranon të shkëputet nga koalicioni PAN.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Gjoba mbi 500 euro për turistët që ndotin qendrën

Close