PAN: Sapo të mandatohemi prej Presidentit nisim negociatat me partitë dhe deputetët
08/07/2017 - 19:11

Koalicioni që ka fituar zgjedhjet ende nuk ka dhënë dëshmi se i ka 61 vota aq sa duhen për të themeluar institucionet e Kosovës. Tash, zyrtarët e PAN’it thonë se posa të mandatohet Haradinaj për Kryeministër do të nisin negociatat me parti dhe deputetë.

Prej se kanë përfunduar zgjedhjet, para katër javësh, zyrtarët e PDK’së, AAK’së e NISMA’s kanë folur sikur fliste Adem Grabovci për numrat në Parlamentin e Kosovës. Adem Grabovci, në kohën e Qeverisë PDK-AKR, kur Qeveria s’i kishte 61 vota, vazhdimisht deklaronte se i kanë votat, shkruan Express.

Edhe tash, udhëheqësit e PAN’it kanë deklaruar vazhdimisht se kanë siguruar numrat për formimin e Qeverisë së Kosovës. Por, asnjëherë s’kanë treguar se kush janë dy deputetët që do të votojnë Ramush Haradinajn Kryeministër.

Njëri prej deputetëve të PAN’it, Bilall Sherifi, zyrtar i NISMA’s për Kosovën, ka thënë se posa të mandatohet Haradinaj do të nisë zyrtarisht bisedimet me partitë politike dhe deputetët për formimin e Qeverisë.

“Nga momenti kur mandatari të merr mandatin nga Presidenti, besoj që do të fillojnë bisedimet zyrtarisht edhe më partitë politike dhe me deputetët veç e veç, të cilët janë të interesuar që të jenë partnerë të koalicionit”, ka thënë Sherifi, për lajmi.net

Koalicioni PAN ka vetëm 39 deputetë derisa për formimin e Qeverisë i duhen të paktën edhe 22 të tjerë, 20 prej të cilëve janë të pakicave.

Vetëvendosje dhe LDK kanë përjashtuar mundësinë që të bashkohen në një koalicion me PDK’në derisa kanë lënë të hapur mundësinë e një koalicioni me AAK’në e NISMA’n për Kosovën.

Sot, janë certifikuar zgjedhjet e 11 qershorit. Koha për konstituimin e Parlamentit përfundon 30 ditë pas certifikimit.

Ndërkohë, mandatari i parë ka 15 ditë kohë për formimin e Qeverisë. Nëse dështon i pari atëherë mandatari i dytë ka vetëm 10 ditë për të nxjerr në votim Qeverinë.

Nëse dështohet për herë të dytë në formimin e Qeverisë atëherë Kosova përsëri do të shkojë në zgjedhje.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Xhaçka pret homologun kosovar: Mbështetje për integrimin në NATO

Close