Pacolli: Ka shqiptarë që kanë kryer krime lufte, do të dënohen për këtë
17/09/2017 - 22:51

Behgjet Pacolli thotë se ka shqiptarë që janë fajtorë për krime lufte.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Jashtëm i vendit, Behgjet Pacolli, thotë se ka shqiptarë që kanë kryer krime lufte në Kosovë dhe se për këtë ata do të dënohen.

“Është e mirë që do ketë akuza kundër atyre që në të vërtetë kanë kryer krime lufte dhe ka pasur shqiptarë që kanë qenë fajtorë. Ata duhet të dënohen për këtë”, ka thënë Pacolli për televizionin publik zviceran.

Në intervistë për SRF, Ministri i Jashtëm i Kosovës shprehet i bindur se Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë, nuk do të ngrit aktakuza ndaj elitës së politikës kosovare; veçanërisht ndaj atyre që janë gjykuar më parë në Gjykata Evropiane, sikurse është rasti i kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Individët që tashmë kanë mbajtur burg në Evropë, e që pastaj janë liruar, janë kthyer – dhe tani bëjnë punën e tyre për vendin”, thotë Pacolli.

Kosovarët kanë dy vite që presin aktakuzat nga Gjykata Speciale për Krimet e Luftës, e cila është themeluar me miratimin e deputetëve të Kosovës në vitin 2015.

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shqipëria, i vetmi vend që përfshin në TVSH edhe biznesin e vogël

Close