Nexhat Daci: PAN të bëjë sakrificë për t’i shmangur zgjedhjet
05/08/2017 - 18:50

Nexhat Daci është politikani që pasluftës kishte negociuar zhbllokimin e bllokadës politike, pas zgjedhjeve të para parlamentare. Atëherë, LDK si fituese e zgjedhjeve, pas një bllokade, kishte bërë lëshime, duke pranuar që pozitën e Kryeministrit t’ia japë partisë së dytë, PDK’së.

Ish-udhëheqësi i Parlamentit, Nexhat Daci, sheh ngjashmëri edhe tash me kohën e pasluftës. Thotë se partia fituese duhet të bëjë lëshime për të zhbllokuar proceset politike.

Thotë se Kadri Veseli nuk është dashur të kushtëzojë tërheqjen e tij nga pozita e Kryeparalmentarit me votimin e Qeverisë.

Ndërsa, sa i përket seancës konstituive, Daci thotë se seanca ende nuk është mbyllur, por vetëm është bërë një gabim nga ana e Kryesuesit, i cili ka qenë nën presion të partisë.

Thotë se s’ka seancë të re sepse s’ka kush e thirr, por duhet të vazhdohet deri në fund, me seancën konstituive.  Nëse bllokada vazhdon, Daci thotë se pashmangshëm do të ketë zgjedhje, ku askush s’do të jetë përfitues.

Express: Si e shihni zgjidhjen e bllokadës së re politike, e krijuar në seancën e fundit, ku partia fituese nuk e propozon kandidatin për Kryetar të Parlamentit?
Nexhat Daci: Po përsëritet cikli prej 2001’shit. Edhe herën e fundit zgjati gjashtë muaj formimi i Qeverisë. Tash do të zgjasë në pafundësi sepse egot ballkanike, në veçanti, ato shqiptare janë shumë të rënda. Nuk lëshon pe kërkush. Ka qenë, atëherë, një situatë tjetër, kur kam qenë jashtë politikës, kam qenë në Akademi të Shkencave, dhe e kam bind Presidentin Rugova që duhet të lëshojmë pe, që me 49 deputetë që kishim, me ia dhënë Kryeministrin partisë më të madhe të luftës, PDK’së. Kështu ka ngjarë dhe kështu ishte zhbllokuar situata. Tash, unë e shoh, janë ata që i kanë humbur të gjitha zgjidhjet. Ata që e kanë fituar partinë me një “huka-buka” mundohen me çdo kush me mbajt veten. Nuk ka asnjë rezon politik, nacional e shtetëror.

Express: Cila është zgjidhja? Duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese apo të shkojnë në zgjedhje? 
Nexhat Daci: Jo, as njëra e as tjetra. Por, PAN’i si pjesa më e madhe e kushtetutshmërisë, duhet të bëjë lëshime e mundshme politike dhe të gjendet një konsensus, që duket i pamundshëm, por me pas guxim politik, nacional e profesional, një lider e kishte bërë këtë. Brenda kësaj vape na kishin flladitë pak dhe kishin bërë zgjidhje.

Express: I bien që PAN me ndërru kandidatin për Kryetar apo me heq dorë krejt prej pozitës së Kryeparlamentarit?
Nexhat Daci: Me heq dorë në asnjë mënyrë. Zgjidhje ka gjithmonë edhe brenda PAN’it, edhe brenda PDK’së, AAK’së. Ka zgjidhje edhe brenda LDK’së, e cila ka qenë gjithmonë një material tjetër, e tash kanë hyrë lloj-lloj shferzeri aty, dhe s’ka mbetur gati gjo prej saj.

Express: Cka mund të prodhojë nëse vazhdon një situatë e tillë dhe a ka rrezik të shkohet në zgjedhje?
Nexhat Daci: Ka rrezik, por askush prej partive politikë s’përfiton asgjë prej zgjedhjeve. Por inatet i çojnë në vend. Mos harroni, se mua LDK më ka shpallur tradhtar pse unë e kam bindur Presidentin Rugova që Kryeministrin me ia dhanë PDK’së dhe e kemi bërë Bajram Rexhepin, i cili ka qenë Kryeministër shumë i mirë për mandatin e parë. Mu kanë hakmarrë dhe në momentin e parë që ka vdekur Rugova, partia, më ka shkarkuar nga pozita e Kryetarit të Kuvendit. Ku keni dëgjuar që partia të shkarkojë Kryetarin e Parlamentit, s’ka askund në historinë e parlamentarizimit, por e ka bërë një monstrum i asaj kohe.

Express: Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli edhe Albin Kurti e Avdullah Hoti vetëm sa po barrikadohen para bllokadës. Në fakt, Kryetari i PDK’së doli me idenë për tërheqje prej pozitës së Kryetarit por me kusht që të votohet Qeverisa…
Nexhat Daci: Ajo tregon se nuk ka vullnet për tërheqje. Se nuk ka nevojë të vendosen kushte kur dëshiron të bësh diçka. Por, është e drejt kushtetuese e PAN’it me pas Kryetarin e Parlamentit. Vetëm me grusht shtet munden me marrë pozitën e Kryetarit të Parlamentit të tjerët, në rrugë kushtetuese, nuk mundet askush tjetër ta këtë ketë këtë pozitë përpos PAN’it.

Express: Si e keni parë udhëheqjen e Parlamentit prej kryesuesit Adem Mikullovci, i cili e mbylli seancën, thirri seancë të re…?
Nexhat Daci: Ishte një gafë rregullativ, me thanë, sepse nuk mund ta mbyllë seancën që ka filluar pa marrë leje. E dyta, unë e kuptoj Kryesuesin si person publik, por nuk kishte siguri, kjo ishte përshtypja ime prej pushimi. Për këtë arsye, nuk mund ta vlerësoj të suksesshme seancën, me disa lëshime, për shkak se ishte në mes  të flakës. Nuk e besoj se Mikullovci nuk e ka ditur, por flaka e partisë, rezultoi me paqartësi, që nuk guxojnë me rrjedh me ato procedura.

Express: Tash, duhet të thirret seancë e re, apo duhet të vazhdohet ajo që ka mbetur në gjysmë?
Nexhat Daci: Në fakt, seanca nuk përfundon kurrë pa u eksploruar rezultati i rendit të ditës. Ose pa një votim në Parlament se mbyllet kjo seancë dhe thirret një seancë e re. Seancë e re nuk mund të thirret sepse s’ka më Kryesi të Parlamentit. Dhe, derisa të kryhet konstiruimi, i vetmi udhëheqës i seancës është Kryesuesi. Kryesuesi nuk mund të thirret se ka thirr Grupet Parlamentare. Duhet të punohet me shumë mençuri jashtë kamerave. Po të ishte një autoritet i fuqishëm për një javë do të zgjidhjen kjo çështje.  

Express: Nëse Parlamenti nuk konstituohet brenda një muaji pas certifikimi të zgjedhjeve shkohet në zgjedhje…
Nexhat Daci: Po, shkohet në zgjedhje të reja. Presidenti e ka atë fuqi për shpalljen e zgjedhjeve.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close