Kosovë - Mustafa “shuplakë” Thaçit: S’ka ushtri pa Amerikë
18/03/2017 - 13:23 Nga: Anjola Hamzaj

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës ka përçarë Qeverinë e Kosovës. Kryeministri, Isa Mustafa, ka dalë kundër nismës së Presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Sipas Mustafës nuk do të ketë formim të Ushtrisë pa u koordinuar me Amerikën dhe NATO-n.

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës duket se është bërë mollë sherri brenda Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri, Isa Mustafa, ka reaguar për herë të parë për këtë çështje, duke dalë kundër nismës së Presidentit Hashim Thaçi për transformimin e FSK-së në Ushtri nëpërmjet ndryshimeve ligjore.

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zyrtarë të NATO-s kanë kërkuar që Ushtria të formohet duke bërë ndryshime kushtetuese, ku kërkohen edhe votat e pakicave.

Për Kreun e Shtetit kjo nuk është e mundur sepse sipas tij serbët që ndodhen në Parlamentin e Kosovës nuk pranojnë ndryshime kushtetuese, prandaj sipas tij e vetmja rrugë për ta bërë Ushtrinë është përmes ndryshimeve ligjore në ligjin për FSK-në.

Në këtë pikë është Mustafa që kundërshton, duke thënë se nuk do të ketë formim të Ushtrisë pa u kordinuar me Amerikën dhe NATO-n.

“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kemi bërë këtë shtet që e kemi dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet t’i ndërtojmë edhe institucionet e ardhshme të Republikës së Kosovës. SHBA-të e përkrahin themelimin e Ushtrisë së Kosovës, por kërkojnë që ky themelim i Ushtrisë së Kosovës të bëhet në bashkëpunim dhe në bashkërenditje me ta”, ka thënë Mustafa.

Presidenti Thaçi e ka dërguar projektligjin në Qeveri për miratim, teksa drafti pritet të kthehet për votim në Parlament.

Kjo çështje ka shkaktuar edhe detate të ashpra mes Kosovës dhe Serbisë, por gjithashtu edhe në përplasje direkte mes Presidentit Thaçi dhe kryeministrit Aleksandër Vuçiç.

Para disa ditësh, Beogradi mblodhi edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar për vendimet e Kosovës për transformimin e Forcës së Sigurisë në një Ushtri të rregullt.

Takimi konfirmoi kundërshtimet e Beogradit, duke e paraqitur Ushtrinë e Kosovës si rrezik.

Çështja ka vënë në diskutim edhe vijimin e dialogut mes dy vendeve, proçes i domosdoshëm në kuadër të stabilizim- asociimit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Political dialogue, PM Rama: Ready to dialogue, but without conditions

Close