Mustafa: Kemi përkrahjen e BE-së për liberalizimin e vizave në gusht
18/04/2017 - 17:34

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se ende nuk ka biseduar me partnerin e tij qeveritar, PDK-në, nëse koalicioni aktual qeveritar do të vazhdojë punën deri në fund të mandatit, në qershor të vitit të ardhshëm.

Javë më parë, deputetë opozitarë kanë nisur një proces të mbledhjes së nënshkrimeve për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, ndërsa kryeministri tha sot se nuk ka biseduar me PDK-në për prishjen eventuale të koalicionit.

“Ne nuk kemi biseduar për prishje të koalicionit edhe sigurisht edhe vendimi i tillë flet për një përgjegjësi të Kuvendit ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe normalisht ai Kuvend do ta marrë vendimin e vet”, tha Mustafa.

Por sipas tij, deputetët do të marrin përgjegjësinë e tyre në lidhje me izolimin e qytetarëve të Kosovës në aspektin e liberalizmit të vizave.

“Deputetët do ta marrin këtë përgjegjësi dhe do t’i nxjerrin qytetarët nga izolimi. Kemi përkrahjen e Bashkimit Europian që të liberalizohen vizat në fund të gushtit dhe t’u mundësohet qytetarëve edhe bizneseve e që ata të qarkullojnë sikurse të gjithë qytetarët e tjerë europianë”, tha Mustafa.

Ai tha se demarkacioni mbetet çështje ndërmjet partnerëve, pasi që në momentin që do të jenë prezentë deputetët, kjo marrëveshje do të shkojë për votim në Kuvend.

“Në në momentin që do t’i kemi prezentë deputetët në Kuvend edhe ata të Listës Serbe, ne sigurisht do të procedojmë me një marrëveshje paraprake me partnerin kryesorë PDK-në. Është përgjegjësi e deputetëve të Kosovës që ata të marrin një vendim që t’i nxjerrin qytetarët nga izolimi, apo dëshirojnë që për kauza politike edhe teke të tjera t’i lënë qytetarët në izolim dhe mbetet pastaj që çdo njëri ta marrë përgjegjësin e vet për vendimet e veta”, tha Mustafa. /kallxo.com/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close