Mogherini: BE nuk do të jetë asnjëherë komplet pa Ballkanin Perëndimor
12/07/2017 - 10:32

Data e hyrjes në Bashkimin Evropian në masë të madhe varet nga Serbia, ndërsa anëtarësimi do të vijë me reforma dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ka thënë shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini për portalin European Western Balkans.

Në takimin e samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili nis sot në Trieste, Mogherini në intervistë ka thënë se Serbia ka arritur rezultate të shkëlqyeshme në vitet e kaluara, duke hapur dhjetë kapituj negociues dhe duke mbyllur përkohësisht dy.

Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, shefja e diplomacisë evropiane shprehu optimizmin duke thënë se “doza e mirë e optimizmit dhe përkushtimi munden gjithmonë t’i kontribuojnë dialogut”, transmeton KosovaPress.

“Ky ishte një vit shumë intensiv për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës: para vetëm disa muajve situata ishte e tendosur, por sot shohim mundësoi të reja dhe unike për pajtim. Kur të ekzistojë vullneti politik që të ecet përpara, gjithmonë ka hapësirë për optimizëm”, ka thënë Mogherini.

Në këtë kontekst, ajo përkujton se javën e kaluar, kur ishte takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiq në Bruksel, të gjithë janë pajtuar që të fillojnë fazën e re të dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe po ashtu janë pajtuar për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura nga dialogu pa shtyrje.

Duke folur për takimin e katërt në nivel të lartë në kuadër të procesit të Ballkanit, i cili nis sot në Trieste, Mogherini tha se është pjesë e rëndësishme e angazhimit të gjerë të BE-së në rajon dhe se procesi i Berlinit lehtëson punën e përbashkët të hyrjes së Ballkanit Perëndimor në BE.

“BE nuk do të jetë asnjëherë komplet pa Ballkanin Perëndimor. Rajoni është në zemër të Evropës. Popujt e Ballkanit Perëndimor ndajnë dhe kontribuojnë në kulturën, historinë dhe ekonominë evropiane. Ky rajon është pjesë e Evropës dhe po ashtu do të jetë pjesë e BE-së dhe në këtë nuk ka dyshim”, ka thënë Mogherini.

/KP/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Djali i Trump publikon mesazhet me prokurorin e Rusisë, akuza për Clinton

Close