Kosovë - Gabriel: Vijoni dialogun, ratifikoni demarkacionin, ushtria me votën e pakicës
13/04/2017 - 10:24 Nga: Anjola Hamzaj

Vijoni dialogun me Serbinë, ratifikoni demarkacionin dhe krijoni ushtrinë me votën e pakicave në Kuvend.

Kanë qenë këto tre porositë më të rëndësishme që ka dhënë ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel për klasën politike kosovare.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Isa Mustafa, kryediplomati gjerman tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë i rëndësishëm, pavarësisht vështirësive.

“Pas një konflikti të armatosur duhet kohë, por duhet raport miqësor mes palëve, prandaj ju them të evitoni provokimet si ju edhe Serbia, si dhe të lehtësoni bashkëjetesën. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian dhe ne po e ndjekim me vëmendje këtë proces”.

Gabriel tha gjithashtu se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është kushti për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

“Nëse BE-ja ka vendosur që ky të jetë kushti për liberalizim, atëherë kjo duhet të plotësohet nëse dëshironi lëvizje të lirë”.

Sa i përket ushtrisë, çështje e cila hapi debate të brendshme dhe të jashtme, ministri i Jashtëm gjerman tha se Kosova ka të drejtë të ketë ushtri sovrane si të gjitha vendet e tjera, por me konsensusin e të gjitha palëve, referuar këtu pakicës serbe në parlamentin e Kosovës.

“Mesazhi i kryeministrit Mustafa ishte i qartë: Ushtria do të bëhet në pajtim me të gjithë, përfshirë edhe Listën serbe. Kosova ka të drejt të ketë ushtri sovranë si krejt shtetet tjera, por ne harmoni me të gjithë. Këtu duhet të ndihmojnë shtetet fqinje dhe BE-ja”.

Kryemisnitri Mustafa ndërkohë tha se ushtria do të bëhet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, kurse demarkacionin e ka konsideruar kauzë të opozitës.

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Political dialogue, PM Rama: Ready to dialogue, but without conditions

Close