Maqedoni, shpallet data e zgjedhjeve lokale
06/08/2017 - 15:23

Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 15 tetor. Kryetari i Kuvendit , Talat Xhaferi, ka dekretuar sot datën për mbajtjen e tyre, ashtu siç janë marrë vesh partitë politike pas skadimit të afatit për mbajtjen e tyre në muajin mars.

“Në përputhje me obligimet ligjor si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor i shpall zgjedhjet lokale, të cilat sipas dispozitave ligjore, do të mbahen më 15 tetor 2017“– deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Ai u ka bërë thirrje partive politike t’i respektojnë procedurat ligjore për të siguruar proces zgjedhor të lirë dhe demokratik.

“Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, në periudhën para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve, të sillen në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, ndërsa institucionet kompetente të sigurojnë që i gjithë procesi zgjedhor dhe vetë dita e zgjedhjeve të rrjedhë në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, ashtu siç meritojnë qytetarët e nderuar të Republikës së Maqedonisë – tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvedit.

Fushata zgjedhore fillon njëzet ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe gjatë kësaj periudhe Kuvendi i Maqedonisë do të punojë, por nuk do të mbajë seanca plenare. Kjo, siç tha kryeparlamentari, bëhet me qëllim që deputetët të kenë mundësi t’i përkushtohen fushatës zgjedhore dhe në të njëjtën kohë të mos krijohet hapësirë që seancat plenare të shndërrohen në fushatë zgjedhore.

Zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si test në veçanti për partitë politike, në veçanti për LSDM-në dhe VMRO-në, të cilat në zgjedhjet parlamentare kishin thuajse rezultat të barabartë në mandate.

Zgjedhjet do të jenë me interes edhe te partitë shqiptare pas daljes në skenë të partive të reja, të cilat përgjysmuan numrin e mandateve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 82 komuna dhe në Shkup, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

/Alsat-m/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close