Mali i Zi sqaron pse mungoi flamuri i Kosovës në Samitin e Kartës së Adriatikut
02/08/2017 - 21:41

Mungesa e flamujve të tre shteteve pjesëmarrëse në Samitin e Kartës së Adriatikut “US Adriatic Charter” ku ishin pjesëmarrëse liderët e shteteve të Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Sllovenisë dhe Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi si mikpritës, është sqaruar nga Qeveria e Malit të Zi.

Insajderi ka kontaktuar me zyrën e Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Maroviq për të kërkuar një sqarim në lidhje me faktin pse mungojnë flamujt e Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë në sallën ku është zhvilluar Samiti i Kartës së Adriatikut, pasi edhe ato kanë qenë të pranishme në këtë ngjarje.

Sergjan Kusovac (Srgjan Kusovac) këshilltar i kryeministrit malazez, ka thënë se arsyeja e mungesës lidhet me faktin se Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë qenë vetëm mysafir në këtë Samit.

“Samiti i Kartës së Adriatikut US Adriatic Charter, përbëhet nga Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë qenë vetëm të ftuara në këtë Samit si mysafir dhe për këtë arsye flamujt e këtyre shteteve nuk kanë qenë të pranishme në sallë”, ka thënë Kusovac.

Ai e ka cilësuar këtë takim si të rëndësishëm për faktin se ka mbledhur liderët e shteteve të rajonit dhe më gjerë për të konfirmuar partneritetin me SHBA-në.

“Kryeministri malazez e shpjegon të rëndësishëm faktin se në këtë Samit janë takuar dhe kaun diskutuar të gjithë liderët duke pasur në krah SHBA-në”, ka thënë ai.

Këshilltari i kryeministrit malazez ka thënë se mungesa e flamujve të shteteve të tjera nuk ka qenë fare problem pasi që janë procedura të zakonshme burokratike për ngjarjet e rëndësisë së njëjtë. /Insajderi/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close