Mali i Zi: Prishtina të pranojë marrëveshjen që kemi arritur për demarkacionin
13/09/2017 - 10:39 Nga: Xhoi Zajmi

Edhe pse Prishtina zyrtare ka shprehur vullnetin për të rinegociuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duket se qeveria e Podgoricës nuk ka ndërmend t’a bëjë dicka të tillë. Në një reagim për mediat, Kryetari i Komisionit malazez për Kufirin, Milan Paunovic, u shpreh se kjo problematikë mbetet një konflikt i brendshëm në Kosovë. Ai shtoi se shpreson që të ketë një marrëveshje politike dhe Prishtina të pranojë akordin e parë të firmosur mes palëve.

Zyrtarët e Malit të Zi duket se nuk e pranojnë idenë e rinegocimit të marrëveshjes për caktimin e vijës kufitare me Kosovën, pavarësisht se një ditë më parë, Kryeministri Ramush Haradinaj, shkarkoi kreun e Komisionit Shtetëror të Demarkacionit. Në një prononcim për mediat, Kryetari i Komisionit malazez për Kufirin, Milan Paunovic, tha se shpreson që Prishtina zyrtare të pranojë akordin që është arritur më herët mes dy qeverive si dhe t’a ratifikojë atë në Parlament.

Zyrtari i lartë i Podgoricës i cilësoi problematikat lidhur me këtë çështje si konflikte të brendshme të politikës kosovare. Sipas tij, nuk do të ishte e drejtë të prononcohej më tej për temën në fjalë pasi mbi të gjitha, qeveria malazeze ende nuk ka marrë një njoftim zyrtar mbi ndryshimet në komisionin shtetëror të Kosovës për Demarkacionin, e aq më tepër për rinegocim të marrëveshjes.

Kryeminsitri Haradinaj dhe kreu i ri institucionit të ngritur për të shënuar kufirin me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, njihen si kundërshtuesit më të ashpër të marrëveshjes që u arrit nën qeverinë Mustafa.

Ata e kanë shprehur vazhdimisht idenë për të zhvilluar edhe njëherë bisedime me Podgoricën. Tashmë mbetet të shihet nëse do të ketë një përpjekje zyrtare lidhur me çështjen. Marrëveshja e Demarkacionit ishte edhe një prej shkaktarëve kryesore të krizës disa mujore në Kosovë, si rrjedhojë e kundërshtimit dhe e protestave nga ana e opozitës së mëparshme.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Masa yndyrore sa 11 autobusë nën Londër

Close