LSDM, nismë për vijimin e seancës konstitutive
16/03/2017 - 17:06

LSDM-ja dorëzon sot iniciativë për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Nga partia e Zaevit nuk japin detaje se kur presin të realizohet seanca, por gjatë saj pritet të zgjidhet kryeparlamentari i ri. Mësohet se Veljanovskit do ti dorëzohen firmat e 67 deputetëve të njëjtat që iu dorëzuan edhe presidentit Ivanov. Deputeti i BDI-së Talat Xhaferri deklaroi se kjo procedurë do të marrë fund gjatë ditëve në vazhdim. Ai nuk beson se kreu në largim i Kuvendit Trajko Veljanovski do ta pengojë këtë proces sepse kjo, sipas Xhaferrit, do të nënkuptonte përgjegjësi penale.

“Ka afat kohor që është dhënë për t’u përmbyllur këto sende dhe ne presim këto ditë që kjo të përmbyllet, nesër, pasnesër, besojmë që duhet të përmbyllet.Mendoj se Trajko Veljanovski do të reflektojë kundrejt kërkesës së 67 deputetëve që të vazhdojë me seancën sepse besoj se nuk do të pranojë edhe ai personalisht të bëhet pjesëmarrës i një vepre penale, për pengimin e sistemit juridik të vendosur këtu me kushtetutë”, deklaroi Talat Xhaferri, deputet i BDI-së.

Partitë do të propozojnë emrat e kandidatëve për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe do të vazhdojnë seancën konstituive të mbetur përgjysmë. Kryeparlamentari i ri zyrtarisht do të njoftojë për formimin e shumicës parlamentare dhe do të kërkojë mandatin programit për qeverinë e re. Ndërkohë së fundmi flitet edhe për një vizitë të mundshme të Komisionet për zgjerim Johanes Han në Shkup, për të përshpejtuar procesin e formimit të qeverisë. Megjithatë Ambasadori i BE-së Samuel Zhbogar tha se nuk ka konfirmim zyrtar për vizitën e Hanit por përcolli shqetësimet e Brukselit për zhvillimet në Maqedoni dhe kërkoi formimin e shpejtë të qeverisë.

“ Ne besojmë se ka kaluar shumë kohë dhe shumë kohë është humbur dhe tani është vërtetë koha për të ecur përpara, për të formuar Qeverinë që do të angazhohet për zbatimin e reformave urgjente prioritare dhe gjithashtu për dialog me shoqërinë, në shoqëri, me liderët politik. Nuk kemi konfirmim zyrtar se Komisioneri Han do të vijë në vizitë do të vijë megjithatë mund të ju konfirmoj se ka interesim të madh gjithashtu edhe shqetësim nga Brukseli dhe liderët e vendeve anëtare për atë që ndodh në Maqedoni”është shprehur Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.

Ndërkohë presidenti Gjorge Ivanov, i cili mban peng mandatin, pas vizitës dy ditore në Azerbejxhan, do të kthehet në vend dhe jozyrtarisht mësohet se ka anuluar vizitën e radhës për në Australi.

 

/Alsat-m/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close