Kuvendi dhe Qeveria e re në ‘duar’ të presidentit Thaçi
12/07/2017 - 10:39

Presidenti Thaçi ka afat deri më 8 gusht të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 qershorit.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 8 korrik certifikoi rezultatet e zgjedhjeve pa ndryshime të mëdha nga rezultatet që i kishte prezantuar më herët.

Tani mbetet që deputet e zgjedhur të betohen në Kuvendin e Kosovës, të fillojnë punën dhe votojnë për qeverinë e ardhshme.

Mirëpo deputetët nuk mund të mblidhen në Kuvend pa vendosur i pari i shtetit, Presidenti Hashim Thaçi.

Ligjet në fuqi, ia lënë në dorë Presidentit të vendit thirrjen e mbledhjes së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Neni 7 i Rregullores së Kuvendit thotë që Presidenti e thërret mbledhjen konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve.

“Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Pra, Presidenti duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive më së largu deri më 8 gusht.
Pas kësaj, seanca e parë legjislative bëhet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature.

“Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme”, përcaktohet në rregulloren e punës së Kuvendit.

Pastaj kryetari dhe Kryesia e Kuvendit të kaluar ftojnë kryetarët e partive që kanë hyrë në Kuvend për të biseduar mbi rendin e ditës së seancës konstituive.

“Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike”, thuhet në paragrafin dy të nenit 7 të Rregullores së Kuvendit.

E deri sa të zgjidhen strukturat e Kuvendit, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, punimet e seancës së Kuvendit i udhëheq deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës, i cili do të ndihmohet në drejtim të seancës nga deputeti më i ri i kësaj legjislature.

Nga rezultatet e certifikuara del që deputeti më i vjetër i Kuvendit të Kosovës është Adem Mikullovci nga Lëvizja Vetëvendosje.

KALLXO.com ka biseduar sot me Mikullovcin, por i njëjti ka refuzuar të flasë duke thënë se pa u thirrur seanca nga ana e Presidentit nuk ka çfarë të thotë.

Presidenti përveç që e thërret mbledhjen e parë konstituive, ai e mandaton edhe kandidatin për Kryeministër.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Xhaçka pret homologun kosovar: Mbështetje për integrimin në NATO

Close