Kriza në Maqedoni, LSDM: Kemi plan për zhbllokimin e Kuvendit
13/04/2017 - 17:37

Pas tre javë debati intensiv në Kuvend, me qarkullimin e temave të njëjta në foltore, deputetët të enjten e vetëshpallën ditë pushimi. Në prag të festës së Pashkëve, gjatë ditës nuk ka vazhdim të seancës konstituive dhe nuk do të ketë deri të martën.

Megjithatë nga LSDM-ja tashmë disa ditë vazhdojnë të premtojnë të njëjtën gjë, zhbllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri të institucionit ligjvënës dhe votimin e Qeverisë së re. Sipas tyre, shumica e re deri tani është sjellë në mënyrë të arsyeshme kurse askush nuk do të mund të pengojë hapin e ardhshëm të tyre, si grup i koordinuar prej 67 deputetësh.

Kemi edhe plan dhe strategji dhe në një kohë shumë të shkurtër, shumica në Kuvend do ta marrë përgjegjësinë dhe detyrimin edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit edhe për zgjedhjen e Qeverisë së re reformuese dhe vlerësojmë se kjo është gjëja më e mirë edhe për qytetarët. Planin nuk mund ta bëjmë publik në këtë moment, në interes të të gjithë qytetarëve por ajo që ne do të bëjmë është në përputhje me Kushtetutën, me rregullativën ligjore dhe rregulloren e Kuvendit – deklaroi Lupço Nikollovski, LSDM.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së e cila poashtu me fjalët e njëjta, kundërshton kërkesat e përbashkëta të partive shqiptare, formimin e Qeverisë së re dhe çdo iniciativë të mundshme të shumicës së re.

 Populli nuk lejon as formimin e Qeverisë tiranase dhe as realizimin e platformës tiranase. Popullit nuk i interesojnë faturat e Zaevit. Për këtë LSD-ja është në panik. LSD-ja është e vendosur që faturat e saj t’i paguaj me shitjen e interesave më të larta shtetërore. Për këtë populli është në këmbë. Populli po zgjohet – thanë nga VMRO-DPMNE.

Partia e Gruevskit kërkon zgjedhje të reja, alternativë kjo e hedhur poshtë nga të gjithë partitë tjera parlamentare. Për tre javë rresht, deputetët nuk arritën të votojnë për Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe për Kryetarin e ri të Kuvendit, pika të cilat shumë pak kanë qenë temë debati. Kryefjalë e debatit ka qenë e ashtuquajtura “platformë e Tiranës”, formimi i Qeverisë së re, akuzat për krim të organizuar mes palëve dhe tema tërësisht dytësore për seancën. Lista e deputetëve të paraqitur për fjalime edhe më tej mbetet e gjatë kurse nuk kanë pasur fund replikat dhe kundër-replikat, kryesisht mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët nuk e mohojnë se kjo është një strategji për pengimin e vazhdimit të seancës.

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
A e dini se të hani sekrecionet e hundës është e shëndetshme?

Close