Konfirmohen kërcënimet ndaj presidentit, kryeministrit dhe liderëve opozitarë
18/04/2017 - 12:39

Presidenti, kryeministri dhe liderët opozitarë në Kosovë kanë qenë të kërcënuar nga individë dhe organizata të dyshuara për veprimtari kriminale, të cilat tashmë janë nën hetime, është thënë sot pas takimit të Komisionit parlamentar për siguri dhe mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) me drejtorin e kësaj Agjencie, Driton Gashi.

Ky takim, u tha se është thirrur për të dëgjuar informacione nga drejtori i AKI-së rreth disa kërcënimeve që kishin drejtuar individë dhe organizata të dyshuara kriminale, për festën e Pashkëve, çka kishte ndikuar në shtimin e masave të sigurisë në gjithë Kosovën.

Kryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbikëqyrje të AKI-së, deputeti Haxhi Shala tha se kërcënimet ishin serioze.

“Të gjitha ato organizata janë tashmë nën hetime nga Prokuroria. Nuk kemi hyrë ne hollësi, për të mos i dëmtuar hetimet”, ka thënë Shala.

Institucionet e sigurisë, sipas tij, të gjitha kërcënimet i marrin seriozisht dhe u janë përgjigjur me kohë.

“Sipas raportimeve të drejtorit të AKI-së, ka qenë një situatë serioze, por për fat nuk ka ndodhur asgjë”, ka thënë Shala.

Po ashtu, ai ka konfirmuar edhe njëherë se informacionet e organeve të sigurisë dëshmojnë se cak i sulmeve ishin menduar të jenë edhe figurat politike, nisur nga presidenti, kryeministri si dhe disa liderë të opozitës dhe figura politike nga koha e komunizmit. /REL/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close