Intervistë për Ora News - Jugosllavia e re? Çejku: Përpjekje e Serbisë për të forcuar rolin e lidershipit
13/07/2017 - 21:02

Për ish-ambasadorin Arben Çejku ideja e rikrijimit të një Jugosllavie të re është një përpjekje e sinqertë e Serbisë për të forcuar lidershipin e saj në Ballkan.

Në një intervistë për Ora News, Çejku tha diplomacia serbe është kthyer në fakor serioz në Ballkan, duke theksuar se roli i Shqipërisë në Ballkan është tërhequr.

Çejku tha se Shqipëria ka qenë dhe vijon të jetë rivalja kryesore e Serbisë në raport me BE. I pyetur për të preferuarin e Merkel, Ramën apo Vuçiç, ish-ambasadori tha se nuk shikon qasje personale të Brukselit ndaj liderëve të Ballkanit.

Gazetarja: Shumë shpejt doli ideja se kjo strategji ka qenë një plan i mirë përgatitur nga Serbia për të rikrijuar një Jugosllavi të re, ose ish-Jugosllavinë e vjetër, por brenda me disa shtete të tjera përfshirë edhe vendin tonë. Ju e merrni si teori konspirative, apo ka diçka me bazë?

Çejku: Unë e marr si përpjekje të sinqerta të Serbisë për të forcuar për të forcuar lidershpin e vet në rajonin e Ballkanit. Pas një tërheqje të pakuptueshme të rolit të Shqipërisë në rajon e Ballkanit, kemi një avancim të diplomacisë serbe dhe të marrdhëdhënies së saj me BE dhe me aktorë të tjerë rajonalë. Ju transmetuat një lajm të vizitës së Vuçiç në Greqi ku nënshkruan disa marrëveshje, me një shtet jo thjesht të rajonit, por edhe të BE. Fryma e procesit të Berlinit, dialogu i Beogradit me Prishtinën dhe marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Beogradin kanë ndihmuar për të rikthyer diplomacinë Serbe në një faktor serioz në Ballkan. Shpesh herë Serbia promovon pikëpamje të cilat në një mënyrë ose tjetër janë me beneficion për Serbinë. Para disa vitesh Serbia promovoi idenë e një Beneluksi ballkanik apo idenë të një Vishegradi ballkanik. Pra është përpjekur disa herë të formatojë këto vende të mbetura jashtë BE sepse është e bindur se Serbia për shkak të statusit që ka, pro edhe si fuqi ekonomike pranë BE mund të tërheqë pjesën tjetër të mbëtur të Ballkanit.  Ajo që ka rivalizuar dhe rivalizon deri diku Serbinë ka qenë Shqipëria, e cila ka pasur një marrëdhënie tjetër me BE.

Gazetarja: A do të thotë kjo që Merkel ka të preferuar Vuçiç dhe jo Ramën sic është përfolur?

Çejku: Unë nuk shikoj qasje personale të Brukselit ndaj liderëve të rajonit, por do të thoja që BE, Merkel dhe të gjithë faktorët e tjerë që masin reformat apo marrëveshjet nisen nga ajo cfarë realizohet dhe jo nga ajo që premtohet. Nuk ka ndonjë preferencë ndaj Vuçiç apo ndonjë lëkundshmëri ndaj Ramës. Përkundrazi qëndrimi është i njëjtë ndaj vendeve të Ballkanit. Janaë vetë vendet e Ballkanit apo liderët që mund të bëjnë më shumë për vendet e tyre. Unë besoj se Serbia përpiqet të përfitojë çdo hapësirë që i jepet në kuadër të procesit të Berlinit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
U kapën me 200 mijë paund kokainë, 20 vjet burg për tre shqiptarë

Close