Haradinaj: Serbia synon ngjalljen e hasmërive të vjetra
20/04/2017 - 16:00

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë të enjten se është e habitshme se si Serbia nuk e hapë një kapitull të ri të marrëdhënieve me shqiptarët në Ballkan, por me çdo kusht provon t’i ringjallë hasmëritë dhe konfliktet e vjetra.

Ai në një postim në rrjetin social në Facebook shkruan se shqiptarët janë në të drejtën e tyre dhe nuk mund të merret më prej tyre, për kurrfarë interesash.

Lexoni të plotë postimin e Haradinajt në Facebook:

“Të nderuar bashkëkombas të mi,

Nuk ka qenë aspak e lehtë kjo kohë e qëndrimit tim të kufizuar në Francë, kjo për shkak të sulmeve që Serbia vazhdon t’ia bëjë Kosovës dhe mua individualisht. Por Kosova dhe unë, kemi pasur sfida edhe më të rënda dhe i kemi kapërcyer me dinjitet, dhe unë jam i bindur se do ta tejkalojmë edhe këtë të fundit, sepse jemi në të drejtën tonë.

Me këtë rast shpreh mirënjohjen time të thellë, për qëndrimin tuaj dinjitoz dhe për mbështetjen e madhe për mua, qoftë këtu në Francë, qoftë gjithandej ku ka shqiptarë.

U ndjeva mirë që sot mbi 600 profesorë dhe intelektualë të Kosovës, me nënshkrimet e tyre janë vënë në anën e së drejtës, duke mbrojtur parimin universal të drejtësisë.

Gjithë këtë mbështetje e konsideroj, mbështetje për drejtësi, mbështetje për normalitet dhe mbështetje për vlera të reja, pa të cilat Ballkani nuk mund të bëhet pjesë e Evropës së Bashkuar.

Është e habitshme se si Serbia nuk e hapë një kapitull të ri të marrëdhënieve me shqiptarët në Ballkan, por me çdo kusht provon t’i ringjallë hasmëritë dhe konfliktet e vjetra!

Shqiptarët janë në të drejtën e tyre dhe nuk mund të merret më prej tyre, për kurrfarë interesash”.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Lista Serbe pret nga partitë shqiptare t’i bëjnë 51 vota për të siguruar votën e tyre

Close