Shkup - Gruevski-Zaevit: Hiq dorë nga platforma shqiptare e ardhur nga Tirana
14/03/2017 - 22:05 Nga: Xhoi Malësia

Partia e kryesuar nga Nikolla Gruevski duket se është e vendosur për të refuzuar me çdo lloj mënyre të ashtëquajturën ‘platformën shqiptare’, teksa i ka ofruar LSDM-së së Zoran Zaev mbështetje për formimin e qeverisë, në rast se social-demokratët do të prishin marrëveshjen me tre partitë shqiptare në Maqedoni.

Në kushtet kur Presidenti Ivanov refuzoi për herë të dytë që të mandatonte Zaev, VMRO ka përsëritur ofertën e bërë edhe më herët. Nëpërmjet një deklarate të bërë për mediat, partia nacionaliste maqedonase nënvizon se mund ta përkrahë LSDM-në nëse kjo e fundit angazhohet për të formuar një qeveri të bashkuar dhe multientike, por jo shtet dygjuhësor dhe me një program që vjen direkt nga Tirana zyrtare. Sipas VMRO, platforma shqiptare përbën një kërcënim serioz për Maqedoninë si dhe rrezikon të sjellë destabilitet në vend.

Aktualisht situata në shtetit fqinj vijon të mbetet e paqartë, në kushtet kur Presidenti Gjorge Ivanov ka refuzuar të mandatojë Zoran Zaev, por njëkohësisht nuk ka ndërmarrë asnjë veprim tjetër për të zgjidhur ngërçin politik.

Kreu i Shtetit po përballet me thirrjet e vazhdueshme nga partia e drejtuar nga Nikolla Gruevski, e cila pasi nuk arriti të formojë një kabinet qeverisës, kërkon që të shkohet sërish në zgjedhje.

Megjithatë, një skenar i tillë po kundërshtohet vazhdimisht nga social-demokratët. Këta të fundit janë shprehur se me mos-dhënien e mandatit për liderin e tyre, Zoran Zaev, Presidenti po shkel Kushtetutën. Nga ana tjetër, faktori shqiptar deri më tani e ka bërë të qartë se nuk do të përfshihet në një qeveri e cila nuk do të pranojë platformën e tyre të përbashkët.

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Ja çfarë bën pastruesja kur pronarët nuk janë në shtëpi

Close