Gruevski: LSDM-ja krijoi perceptime të qëllimshme për shqiptarët
18/06/2017 - 12:34

Ish-kryeministri Nikolla Gruevski, njëherësh kryetar i VMRO DPMNE-së, akuzoi LSDM-në e Zoran Zaevit që tani është në pushtet, se ka krijuar perceptime të qëllimshme se gjoja VMRO-ja është kundër shqiptarëve të Maqedonisë.

Në fjalimin me rastin e 27-vjetorit të themelimit të partisë së tij, Gruevski tha se shqiptarët shumë shpejt do të binden se asgjë të mirë nuk do të shohin nga LSDM-ja, e cila, siç u shpreh, me politikat e saj tendencioze, ka krijuar ndasi ndërmjet shqiptarëve dhe VMRO-së.

“Ne, mes tjerash duhet të punojmë që të ndryshojmë perceptimin që e kanë krijuar strukturat e LSDM-së dhe mediet e tyre ndaj shqiptarëve, duke krijuar stereotipe, sipas së cilave koalicioni me ndonjë partner politik shqiptar, do të ishte për ta barrë e rëndë. E gjithë kjo ka qenë e qëllimshme dhe tendencioze që koalicioni me LSDM-në të paraqitet si më i dëshiruari për shqiptarët në Maqedoni”.

“Mendoj se shqiptari i rëndomtë nuk do të shohë asgjë të mirë nga LSDM-ja që është në pushtet dhe shumë shpejt do të bindet për këtë. Shqiptarët, ashtu sikurse maqedonasit, kanë nevojë për jetë më të mirë, vende pune dhe standard më të lartë jetese”, deklaroi Gruevski, duke shtuar se VMRO-ja do t’ua shtrijë dorën të gjitha bashkësive etnike nëse duan shtetin e përbashkët.

“Shqiptarët mund të llogarisin në VMRO DPMNE-në në të ardhmen, dhe nëse dëshirojnë të ndërtojmë shtet të përbashkët, në të cilin të gjitha bashkësitë etnike do t’i shtrijmë dorën”, u shpreh Gruevski.

Ai theksoi se retorika e forcuar gjoja patriotike e disa partive shqiptare, të cilat nën vellon e ndonjë ligji për gjuhët po zgjidhin më shumë çështje kadrovike të individëve, nuk do t’u ndihmojë aspak shqiptarëve.

Gruevski tha se LSDM-ja, nëpërmjet Prokurorisë Speciale do të vazhdojë ndjekjen e pabazë të tij edhe të drejtuesve të tjerë të VMRO-së, por kjo siç u shpreh ,nuk do ta ndalë që ai të vazhdojë betejën për Maqedoninë dhe së shpejti premtoi kthimin në pushtet dhe se sinjalet e para do të jenë në zgjedhjet lokale në vjeshtë.

Ai paralajmëroi edhe ndryshime dhe freskime të partisë me kuadro të reja të gatshme, siç thaai, për t’u bërë ballë sfidave që e presin partinë.

Nikolla Gruevski dhe dhjetëra zyrtarë tjerë të lartë të kësaj partie dyshohen nga Prokuroria Speciale për shumë vepra penale, mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh, presione ndaj medieve, dhunë ndaj kundërshtarëve politik e shpërdorime tjera.

Gjashtë deputetë të VMRO-së dyshohen edhe për ngjarjet e dhunshme në Kuvend, më 27 prill kur protestuesit e organizatës “Për Maqedoni të Bashkuar” me ndihmën e deputetëve të VMRO-së pushtuan Kuvendin ku ushtruan dhunë ndaj deputetëve të partive të shumicës parlamentare.

Gjatë kësaj periudhe, VMRO-ja akuzonte LSDM-në dhe partitë shqiptare se përmes asaj që njihet si “Platformë e Tiranës”, po tentojnë të federalizojnë Maqedoninë, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga partitë shqiptare duke sqaruar se pikat e deklaratës nuk janë asgjë tjetër pos pjesë e programeve të tyre partiake për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

/Rel/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close