Takimi në Bruksel - Greqia nuk ka shanse të marrë sot këstin e kredisë
20/03/2017 - 9:34 Nga: Robert Goro

Ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen të hënën (sot) pasdite në një përpjekje tjetër për të gjetur gjuhën e përbashkët me qeverinë greke mbi masat që duhet të marrë Athina, në këmbim të çlirimit të këstit të kredisë.

Pavarësisht se edhe vetë kryeministri Tsipras ka deklaruar disa herë se marrëveshja do të kyçet më 20 mars, nuk ka asnjë shenjë se në fund të ditës nga Brukseli do të dalë tym i bardhë.

Paraditen e të hënës, agjencia Bloomberg, citonte një zyrtar europian, sipas të cilit arritja e marrëveshjes madje edhe në muajin prill, është diçka e largët. “Të dy palët janë ende larg sa u përket reformave që kërkojnë kreditorët në tregun e energjisë, ndërsa Athina po reziston gjithashtu ndaj kërkesës për uljen e mëtejshme të pensioneve”, ka thënë zyrtari i Bashkimit Europian.
Sipas shtypit grek, qeveria Tsipras pret nga takimi i të hënës një shenjë progresi, më shumë për të ngritur moralin në grupin parlamentar të SYRIZA-s në pushtet. Mjaft deputetë kanë paralajmëruar se nuk kanë për të votuar asnjë masë tjetër, në kohën që marrja e masave të tjera shtrënguese konsiderohet e pashmangshme.
Gjithsesi, agjencia Bloomberg, paralajmëron se në takimin e sotëm të Eurogrupit, Greqia do të humbë një tjetër shans për t’u çliruar kreditimi, “duke risjellë në skenë një përsëritje të dramës së 2015-s, kur vendi u thuajse u ndodh në një kolaps ekonomik”.

 

Më e mundshmja është që ministrat e Financave të Eurozonës të përsërisin mbrëmjen e të hënës se qeveria Tsipras ende nuk është përshtatur me kushtet që u vunë bashkë me kontratën për kredinë prej 86 miliardë eurosh që u nënshkrua dy vjet më parë.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
No destabilization, DP Chairman: This is a peaceful movement for free elections

Close