Greqi - Gatishmëri ndaj akteve terroriste, ja kush qëndron pas bombës në Athinë
21/04/2017 - 10:02 Nga: Robert Goro

Autoritetet greke e kanë rritur edhe më shumë gatishmërinë, pas shpërthimit të një bombe në selinë e bankës Eurobank, të mërkurën në mbrëmje në Athinë.

Masat e sigurisë janë përforcuar edhe më tepër në ruajtjen e godinave qeveritare, por edhe atyre me karakter ekonomiko-financiar si dhe disa prej ambasadave.

“Sulmi ndaj Eurobank, bashkë me ato që u shënuan kohët e fundit, përbëjnë një cikël të ri aktesh terroriste që nuk do të mbarojë së shpejti”, i ka deklaruar gazetës greke ‘Kathimerini’ një oficer i lartë i shërbimit antiterror.

Bomba që shpërtheu të mërkurën në mbrëmje, shkaktoi vetëm dëme materiale në fasadën e bankës dhe në godina të tjera përreth.

Megjithëse ekspertiza nuk ka përfunduar ende, dyshohet se bomba përbëhej nga 3 kilogramë dinamit.

Detonatori ndodhej në një çantë shpine të cilën e lanë në hyrje të bankës dy persona që u larguan menjëherë me motoçikletë.

Ekspertët vlerësojnë se atentatorët janë të njëjtët me ata që para disa javësh vendosën një bombë në selinë e Ministrisë së Punës dhe në një rajon policie pranë qendrës së Athinës.

Në të dy ato raste, bombat ishin gjetur më herët dhe u çaktivizuan para kohës së shpërthimit. Ndërsa në rastin e të mërkurës, nuk ofrohej koha e nevojshme, prandaj dhe bomba shpërtheu.

Edhe pse asnjë organizatë nuk ka marrë ende përgjegjësinë për sulmin e të mërkurës, mendohet se pas tij qëndron grupimi guerril “Komploti i celulave të zjarrit”.

Ky është grupimi që muajin e kaluar postoi zarfat bombë në zyrën e Ministrit gjerman të Financave në Berlin, por edhe të misionit të FMN-së në Paris.

Autoritetet thonë se është vërtetuar dyshimi i tyre për një riorganizim të “Komplotit të celulave të zjarrit”, pas goditjes vendimtare që iu dha duke arrestuar e burgosur liderët e tij.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close