Ende pa vendim për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë
19/03/2017 - 13:20

Kandidati i Partisë Demokratike për president të Serbisë, Vuk Jeremiq, e ka nisur fushatën e tij zgjedhore me një vizitë në Kosovë. Njëjtë do të veprojë edhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, i cili është kandidat i Partisë Përparimtare për të parin e Serbisë, duke e mbajtur një miting zgjedhor në veri të Kosovës.

Mitingu është paralajmëruar se do të mbahet më 21 mars, dhjetë ditë para organizimit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, të cilat do të mbahen më 2 prill 2017.

 

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës ende nuk kanë marrë qëndrim nëse do ta lejojnë apo jo fushatën e kandidatëve për president të Serbisë në Kosovë, por edhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në vendbanimet serbe në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë qëndrim për këtë çështje”, ka deklaruar për “Zërin” Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa.

Në anën tjetër, deputetja e partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se kandidatët për president të Serbisë nuk duhet lejuar që të bëjnë fushatë në Kosovë, e as të lejohet votimi në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë.

“Si është e mundur që qytetarët e Kosovës të votojnë për një shtet tjetër? Ne jemi dy shtete të ndara. Kjo është e pakuptimtë dhe Qeveria e Kosovës nuk është dashur ta lejojë këtë për etnitetet serbe në Kosovë, sepse po shkelet integriteti dhe sovraniteti i vendit tonë”, ka deklaruar Kadrija.

Ajo madje bëri një krahasim mes komunitetit serb në Kosovë dhe shqiptarëve që jetojnë në Luginë të Preshevës.

“Nëse mendojmë të kundërtën që qytetarët e Medvegjës dhe Bujanocit të votonin në Kosovë për zgjedhje presidenciale, a do të kishin lejuar ata një gjë të tillë?”, potencoi Kadrijaj.

Edhe analisti politik Driton Selmanaj fushatat e tilla i quan të papranueshme pasi që, sipas tij, qëllimi i vetëm i politikanëve serbë në Kosovë është përhapja e urrejtjes në forma të ndryshme.

“Nuk do të duhej të zhvilloheshin mitingje politike në Kosovë për zgjedhje të një shteti tjetër, e aq më shumë duke u nisur nga fakti që ata sa herë kanë ardhur në Kosovë kanë promovuar gjuhë të urrejtjes dhe janë munduar ta shtrijnë ndikimin e tyre në Kosovë. Mendoj që zhvillimet politike të kujtdo qoftë për zgjedhje në Serbi nuk do të duhej të lejohen sepse i përkasin një shteti tjetër. Qytetarët e Kosovës nuk kanë të drejtë për të votuar atje dhe mendoj që Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të lejonte veprime të tilla”, ka thënë Selmanaj.

Ai madje një veprim të tillë e ka konsideruar si nxitës të pakënaqësive dhe tensioneve në Kosovë.

“Kjo shkakton pakënaqësi në të gjitha kontekstet. Vizitat e tilla të kandidatëve për zgjedhje në Serbi sikur i ngjallin shpresën komunitetit serb që ata kanë një të ardhme në kuadër të Republikës së Serbisë dhe se Kosova ndonjëherë do të kthehet prapë në administrimin serb. Kjo gjithashtu pengon raportet shqiptaro-serbe, procesin e Haradinajt dhe shkakton tensione të gjithanshme”, tha Selmanaj.

Ndërsa politologu Donik Sallova tha që zgjedhjet në Serbi gjithmonë krijojnë tensione në Ballkan, e sidomos në Kosovë.

“Në përgjithësi zgjedhjet në Serbi përkojnë me një situatë të tensionuar në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kemi pasur tensionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Rasti i trenit ilegal serb, i murit ilegal në Mitrovicë, pastaj provokime tjera që lidhen me sjelljen e Listës Serbe dhe deklaratat mohuese të Serbisë në raport me idenë për transformimin e FSK-së, rasti Haradinaj, e bëjnë më të rendë provokimin që gjithnjë vjen nga Serbia sa herë atje ka zgjedhje. Pra, retorika mohuese e Serbisë ndaj Kosovës në këtë kontekst zgjedhor do të jetë më e rëndë dhe më e padurueshme”, ka deklaruar Sallova./Zeri/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Gjykata Speciale në Kosovë flet për arrestimet e para

Close