Edi Rama tregon pse po ndodhin përplasjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
16/03/2017 - 22:37

Kryeministri Edi Rama ka folur me gazetarët në Sarajevë, në lidhje me zhvillimet ne Samitin e zhvilluar me vendet e rajonit.

Rama ka folur edhe për “sherrin” e raportuar në media të ndryshme të Ballkanit, mes Aleksandar Vuçiç dhe Isa Mustafës.

“Unë mendoj që këto tensione janë artificiale. Janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje dhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe Beograd, sipas të cilit, qenka bërë sherr mbrëmë në darkë”, ka treguar Rama.

Si e shihni të ardhmen e rajonit pas këtij takimi dhe çfarë rëndësie kishte?

Kryeministri Edi Rama: Ky takim është një takim përgatitor të vigjilje të Samitit të radhës, në kuadër të procesit të Berlinit, në Trieste.

U diskutua për avancimin e axhendës së tregut të përbashkët, që është kalimi në një fazë të re të idesë së hedhur prej nesh qysh në Samitin e Parisit. Për ne, ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, pasi do të krijojë mundësi të reja dhe një afrim të mëtejshëm me BE. Ashtu sikundër, pa asnjë diskutim, do t’i japë një nxitje shumë të konsiderueshme ekonomisë, tregtisë dhe marrëdhënieve në rajon.

-Prisni që të sjellë diçka, sidomos në këtë fazë, kur Ballkani dhe Shqipëria është akuzuar nga Serbia dhe ka patur mjaft tensione? Mendoni që do të tejkalohen në një Samit tjetër?

Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që këto tensione janë artificiale. Janë të ngritura për shkaqe elektorale, që nga treni, te muri, madje dhe te lajmi i përhapur në Prishtinë dhe Beograd, sipas të cilit, qenka bërë sherr mbrëmë në darkë. Unë isha në darkë dhe s’pashë asnjë sherr. Përkundrazi. Kështu që, deri kur të mbarojnë zgjedhjet në Beograd, mos u çudisni nga këto lloj “tensionesh”.

Për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës, unë besoj që janë marrëdhënie të vështira, është një dialog i vështirë, por është e vetmja rrugë për të trajtuar çështje që, jo thjesht janë në interes të përbashkët, por që kanë të bëjnë edhe me përcaktimin në rrugën e integrimit europian dhe me përkatësinë në atë pjesë të komunitetit ndërkombëtar që ne kemi zgjedhur të jemi.

-A është ky model i tregut të përbashkët, d.m.th.një alternativë kundrejt integrimit në Bashkimin Europian?

Kryeministri Edi Rama: E kundërta është e vërtetë, që ky nuk është një model alternativ. Ky është model zhvillimi që përshpejton procesin e integrimit në BE dhe e bën integrimin e tregut të përbashkët europian dhe tregut të përbashkët ballkanik një realitet më shpejt se sa ç’mund të ndodhë me anëtarësimin e vendeve tona në BE.

-Ju e shihni si model të përshtatshëm?

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi propozuar. Si mos ta shohim si model të përshtatshëm./zeri.info/

Lexo më shumë: Prapaskenat në Sarajevë/ Zbardhet pse u ndërpre konferenca Rama-Vuçiç

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
BOOM: Kalvari në gjykata i inspektores se AKU. U shkarkua 3 herë

Close