Këshilli i Sigurimit - Çitaku: UNMIK-u ka përfunduar misionin, Kosovës i duhet ushtri
16/08/2017 - 20:50

Në një takim të zakonshëm të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, përfaqësues të Beogradit dhe Prishtinës sërish paraqitën pikëpamje tërësisht të kundërta për situatën në Kosovë, të ardhmen e saj dhe të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Të dyja palët paraqitën qëndrimet krejt të ndryshme dhe rreth mbledhjeve të tilla dhe pranisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Derisa ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, nguli këmbë sërish në vazhdimin e këtij misioni, që sipas tij është i domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e serbëve dhe të pakicave tjera jo shqiptare, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, tha se UNMIK-u duhet të përmbyllë misionin meqë nuk është më i rëndësishëm tash kur Kosova është vend i pavarur. Ajo tha se Serbia kërkon vazhdimin e takimeve të tilla të panevojshme në të cilat ajo provon të paraqesë një pamje që nuk përkon me realitetin.

Ministri i jashtëm serb tha se sulmet etnike po pengojnë kthimin e serbëve të zhvendosur, ndërsa u ankua për gjenden e trashëgimisë kulturore e fetare. Ai kritikoi edhe UNMIK-un që nuk po u kushton vëmendje në raporte të zhvendosurve dhe përmendi numrin e tyre si dëshmi se serbët kanë pësuar pastrim etnik nga Kosova duke kundërshtuar siç tha, pohimet se Serbia ka kryer gjenocid dhe spastrim etnik në Kosovë. Ai tha se në Kosovë janë kthyer vetëm 1.9 për qind e të zhvendosurve dhe sipas tij në Prishtinë jetojnë 100 herë më pak serbë sesa 30 vjet më parë.

Ai e kritikoi për mossukses bashkësinë ndërkombëtare për të vendosur sundimin e ligjit në Kosovë, ndërsa shfaqi shpresën se, siç tha, Gjykata e Posaçme për krime lufte në Kosovë do të jetë në gjendje të vendosë drejtësinë në Kosovë dhe Serbia sipas tij, është e gatshme të ofrojë të gjitha dëshmitë për krimet në Kosovë.

Ministri serb u bëri thirrje vendeve që e kanë njohur Kosovën që të mos bëjnë thirrje që këtë ta bëjnë të gjitha vendet e botës, ndërsa theksoi se zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të marrë parasysh interesat e të dyja palëve. Duke ritheksuar qëndrimin se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, ai e cilësoi shpalljen e saj të njëanshme dhe të panevojshme.

Ai u angazhua kundër anëtarësimit të Kosovës në policinë ndërkombëtare INTERPOL, ndërsa theksoi sic u shpreh, gatishmërinë e Beogradit për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai akuzoi Prishtinën për moszbatim të marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa u zotua se Beogradi do të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se bisedimet nuk kanë alternativë, por duhet udhëheqje e fortë e ndërmjetësuesit për të siguruar zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa vuri theksin tek nisma e presidentit serb Aleksandër Vuçiç për të hapur debatin brenda serb lidhur me Kosovën.

Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku tha se Kosova ishte deri tash “konsumuese e sigurisë”, ndërsa tash duhet të ndihmojë infrastrukturën rajonale e botërore të sigurisë. Kosova nuk mund të rrijë si vëzhguese por të jetë pjesëmarrëse, tha ajo duke theksuar përpjekjet e saj për ngritjen e ushtrisë së Kosovës në partneritet me NATO-n.

Ajo tha se ushtria e Kosovës do të jetë e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe vetëm një muaj më herët 58 pjesëtarë të komunitetit serb ju bashkuan Forcës së Sigurisë. Por nuk do të lejohet askush që të vëre veto mbi këtë proces, tha ajo.

Ambasadorja Çitaku akuzoi Serbinë për qasje të papranueshme ndaj Kosovës duke ju kundërvënë anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe duke bllokuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedime. Ajo tha se qeveria serbe ka penguar në vazhdimësi proceset në Kosovë, madje ajo pengoi serbët që të marrin pjesë në regjistrimet e popullsisë.

Ajo tha se Kosova do t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet përfshirë edhe ngritjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Normalizimi nuk mund të jetë i njëanshëm sikurse as pajtimi, por ai duhet të mbështetet mbi të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ajo duke përmendur faktin se autoritetet serbe nuk lejuan ish presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga që të marrë pjesë në një ngjarje në Beograd ku ajo do të fliste për një libër me dëshmi të grave mbi përdhunimet gjatë luftës në Kosovë. Libri, tha ajo, përmbante dëshmitë se përdhunimet janë përdorur si mjet lufte. Viktimat nuk mund të kenë paqe derisa autorët e këtyre krimeve të mos vihen para drejtësisë, tha ajo.

Ambasadorja Çitaku tha se çdo përpjekje për të rishkruar historinë do të dështojë, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është organizatë terroriste por lëvizja më e suksesshme çlirimtare në historinë bashkëkohore.

Ambasadorja Çitaku tha se “Serbia duhet të merret me të kaluarën jo vetëm për shkak të Kosovës, sepse Kosova është e lirë dhe e pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë, por, ajo duhet ta bëjë këtë për hir të fëmijëve dhe të ardhmes së saj”.

Duke komentuar debatin e nxitur nga presidenti serb për një kompromis mbi Kosovën, ajo theksoi se “pavarësia e Kosovës, siç është deklaruar më 2008 është kompromisi.

“Ripërtëritja e ideve për ndarje në vija etnike është me rrezik për tërë rajonin. Nëse mohomë diversitetin në vendet tona atëherë si do të jetojmë dhe bashkëjetojmë në Bashkimin Evropian dhe në një botë të ndërlidhur”, tha ajo duke ju referuar idesë së ministrit serb Daçiç për ndarjen e Kosovës.

“Kosova dhe pavarësia e saj nuk është projekt i përkohshëm. Ajo është aty për të qëndruar përgjithmonë. Normalizimi nuk mund të ndodhë nëpërmjet ndarjes”, tha ambasadorja Çitaku.

Debati i sotëm në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit u zhvillua mbi raportin e përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, i cili tha se tremujori i fundit ka qenë i dominuar nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe bisedimet për krijimin e një qeverie të re.

Ai përmendi nismën e presidenti serb për një dialog të brendshëm mbi Kosovën, duke theksuar se “ndjekja e kompromiseve të drejta, dhe shpesh të vështira e të dhimbshme, kërkon udhëheqje të fuqishme nga të gjitha palët.” Ai theksoi se pajtimi politik duhet po ashtu të përcillet nga pajtimi shoqëror./VOA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Basha: Ruçi pinjoll i diktaturës! Zgjedhjet u fituan në aleancë me krimin

Close