Samiti i Sarajevës - Ballkani me treg të përbashkët?! Hahn: Krijohen 80 mijë vende pune
16/03/2017 - 15:41 Nga: Xhoi Malësia

Në Samitin e Sarajevës, Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë diskutuar gjerësisht krijimin e një tregu të përbashkët, me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe forcimin e ekonomive rajonale.

Pas takimit që zgjati për afro 3 orë, në konferencën e mbajtur për mediat, Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, deklaroi se nëse do të ketë vullnet të fortë për zbatimin e këtij projekti, në rajon mund të gjenerohen 80 mijë vende të reja pune.

Hahn: “Ishte ideja e disa Kryeministrave për të punuar mbi atë që unë e quaj një treg të përbashkët në rajon, gjë që nënkupton heqjen e një sërë barrierave, pra për të lejuar tregtimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe njohjen e certifikatave profesionale.

Dua të them se kemi bërë një përllogaritje mjaft konservative për impaktin që mund të sjellë një nismë e tillë. Po të flasim për perspektivën afat-shkurtër dhe afat-mesme ky projekt mund të krijojë më shumë se 80 mijë vende të reja pune në rajon.

Diçka e tillë nuk do të ndodhë përmes politikës, por njerëzit e përgjegjshëm të Ballkanit Perëndimor duhet që të punojnë brenda një kornize të caktuar pune, me qëllim që ky projekt të krijojë realisht 80 mijë vende pune”.

Më tej Hahn shtoi se zbatimi i këtij projekti do të përbënte një hap më të sigurt drejt Bashkimit Evropian. Ai shtoi se i kishte komunikuar Kryeministrave se BE mbetet e vendosur për të punuar për integrimin e plotë të rajonit.

I pranishëm në këtë samit ishte gjithashtu edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano, për shkak se në 12 Korrik në Trieste, liderët e Ballanit perëndimor do të zhvillojnë takimin e katërt që organizohet në kuadër të Procesit të Berlinit. Edhe në Trieste pritet të ketë diskutime të mëtejshme të projektit për tregun e përbashkët ballkanik.

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close