Samiti i Triestes - Angelino Alfano: Qytetarë të Ballkanit, vendi juaj është në Europë!
12/07/2017 - 9:05 Nga: Alba Kepi

“Qytetarë të Ballkanit vendi juaj është në Europë”, me këto fjalë e ka sintetizuar qëllimin e Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ministri i Jashtëm italian Angelino Alfano, në konferencën e shtypit të hapjes së Samitit që pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në qytetin e Triestes në Itali.

“Në Samitin e Triestes Italia do të konfirmojë vullnetin e saj për të qënë pikë referimi për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit europian”, u shpreh Ministri i Jashtëm italian  përballë mediave italiane e ndërkombëtare. 

“Jo më kot është zgjedhur qyteti i Triestes si seli e zhvillimit të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, tha Ministri Alfano, zgjedhje e bazuar në historinë e tij, gjeografinë, fatin e një komuniteti të përbërë nga njerëz zemërgjerë e mëndjehapur.”

Ministri i Jashtëm italian informoi në konferencën e shtypit se përgjatë Samitit të Triestes do të firmoset një “park projektesh me vlerë prej 200 milionë euro”.

“Është një shifër superiore në krahasim me 4 samitet e mëparshme, tha ai, me një sërë projektesh në fushën e transportit dhe të energjisë, që do të lejojë vendet e Ballkanit Perëndimor të lidhen më mirë me rrjetet e infrastrukturës europiane, si dhe do të intesifikohen të gjitha instrumentet financiare në mbështetje të sipërmarrjeve të vogla e të mesme.”

Përgjatë Samitit të Triestes do të zhvillohet dhe Forumi i Biznesit me pjesëmarrjen e institucioneve qeveritare e përfaqësuesve të sipërrmarrjeve të vendeve Ballkanike, italiane e europiane.

Ministri i Jashtëm italian në konferencën e shtypit deklaroi gjithashtu “se në këtë Samit do të inaugurohet një Sekretariat unik për Dhomat e Tregtisë të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me seli në qytetin e Triestes.”

“Në Samitin e Triestes, përfundoi Ministri Alfano do të jepet dhe propozimi për krijimin e një fondacioni “Western Balkan Research Foundation” që do t’i kushtoje vëmëndje kërkimit shkencor e universitar, të rinjve e do riforcojë lidhjet mes shoqërive të këtyre vendeve ballkanike.”

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Djali i Trump publikon mesazhet me prokurorin e Rusisë, akuza për Clinton

Close