Maqedoni - Ahmeti gati të negociojë me Gruevskin për Qeverinë e re
10/01/2017 - 8:12

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti nuk ju përgjigj konkretisht deklaratës së Nikolla Gruevskit, i cili në një intervistë për gazetën “Dnevnik”, i bëri të qartë BDI-së se nëse nuk ben koalicion me VMRO DPMNE-në, dera e kësaj partie mbyllet për koalicione të mundshme në të ardhmen.

Por nga ana tjetër, Ahmeti konfirmoi se fillimisht bisedimet për qeverinë e ardhshme do ti zhvillojë me partinë fituese.

Ahmeti: “Ne do të fillojmë të bisedojmë me partinë e parë që ka marrë mandat”.

A keni biseduar deri më tani me ndonjë palë, se ka shumë zëra në opinion?

Ahmeti: “Të gjithë ato zëra i hedh poshtë, dhe vërtetë janë të paarsyeshme sepse nuk ka pasur asnjë takim zyrtar”.

Kryetari i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski, gjatë ditës së djeshme tërhoqi vëmendjen se nëse BDI nuk respekton parimin e fituesit, as partia e tij nuk do të respektojë të njëjtin parim në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse VMRO DPMNE-së si parti fituese i bëhet lojë nga BDI, pa marrë parasysh se cilat janë arsyet, të jeni të bindur se  VMRO DPMNE shumë shpejtë do të kthehet fuqishëm edhe atë së paku me dy mandate të radhës. Dhe sigurisht që do të jemi pa asnjë obligim në formimin e qeverisë”, tha Gruevski.

Zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Faton Fazliu thotë se partia e tij mbetet në parimet e veta, se koalicion me persona të dyshuar nga ana e Prokurorisë Speciale nuk do të bëjë, kurse thonë që BDI i ka borxh Nikolla Gruevskit dhe VMRO DPMNE-së.

“Ne nuk mund të paragjykojmë se kush me kë do hyjë në qeveri. Ne mund të flasim për parimet tona dhe jemi deklaruar disa herë se BDI-ja  i ka borxh Nikolla Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Ne nuk mund ta vlerësojmë këtë, ne e dimë se ato me vite të tëra janë marrë dhe janë dhënë mes vete dhe se dashuria e tyre 10 vjeçare ka lënë pengje të tyre gjatë kësaj periudhe”, u shpreh ai.

Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se nuk do ti përgjigjen ftesës së Gruevskit, dhe se koalicioni BDI-VMRO DPMNE ka qenë i dëmshëm për qytetarët.

“Nuk dua te komentoj raportet e një koalicioni 8 vjeçar, të cilën ne si Aleance për shqiptaret vazhdimisht e kemi kritikuar dhe vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin se kanë qenë binomi më i keq për shqiptaret në historinë 26 vjeçare te Maqedonisë”, thonë nga kjo parti.

Derisa nga sot po rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë së re me mandatar Gruevskin, vendimtare do të jetë BDI. Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti në intervistën në Klik Plus që do të transmetohet nesërmbrëma ka shpalosur të gjitha opsionet për përfshirjen ose jo në qeverisjen e ardhshme./tv21.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Ja pse u nda Pirro Çako nga e dashura

Close